Shqipëria e Kosova të moshës deri në 17 vjeç janë ndarë paqësisht në miqësoren e tyre të dytë të luajtur në “Kukës Arena” dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Një pjesë e parë e vakët, atje ku mundësia e parë për shënim ka ardhur vetëm në të 13’. Dhe kjo i ka takuar miqve me anë të Gashjan, që ka goditur në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, por jashtë. Kundërpërgjigjen tanët pas 15 minutash, por Salihu ka pritur goditjen me kokë të Vranicit.
Pjesa e dytë ka një ritëm ndryshe, ndërsa Kosova kalon në avantazh në të 52’ me anë të Gashjan, që ka shënuar nga rreth 20 metra, teksa topi ka përfunduar në krahun e majtë të Dervishit. Zëvendësimet e shumta të Bulkut ndryshojnë ritmin e lojës. Dhe Bode në të 70’ provon nga distanca prej rreth 25 metra, ndërsa ka pritur Salihu. Provon dhe Metaj në të 77’ dhe Salihu përsëri i thotë “Jo” golit. Në të 87’ Shqipëria ka fituar penallti, kjo me anë të Dashit, të cilën më pas e ka kthyer në gol Kurti. 1-1, ndërsa Beqiri mund të kishte shënuar golin e avantazhit, por Dervishi ka “vulosur” barazimin me pritjen e tij në këtë miqësore të dytë.