RTSH Sport Live

Shqipëria e Kosova, gati për Euro 2025

  • 17/11/2021
  • |
  • Basketboll
Shqipëria e Kosova, gati për Euro 2025
Shtyhet java e pestë e Ligës Unike, të gjithë të përqendruar për përballjet ndërkombëtare

Shqipëria në basketboll për meshkuj, që drejtohet nga Afrim Bilali, tanimë ka nisur grumbullimin për ndeshjen e parë për parakualifikueset e Kampionatit Europian 2025. Pikërisht më 25 nëntor, në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, Shqipëria do të presë Luksemburgun. Dhe për këtë ndeshje, Bilali ka grumbulluar 15 basketbollistë, të cilët janë Dallas, Strazimiri, Dusha, Prodani, Shestani, Hysa, Taflaj, Lekndreaj, Pullazi, Thano, Hamati, Lilaj, Hysenagolli, Grazhdani dhe Nikoçi.

Në këtë ekip vjen për herë të parë Prodani dhe Grazhdani, ndërsa e gjithë pjesa tjetër ka qenë e aktivizuar dhe në kualifikueset e kaluara. Ndërkohë të njëjtën gjë ka bërë dhe Kosova, e cila të enjten e ardhshme, në ora 19:00, gjithnjë për parakualifikueset e Kampionatit Europian 2025, do të jetë në transfertën norvegjeze. Por më 28 nëntor, po në ora 19:00, dardanët do të presin dhe Danimarkën.

E gjithë kjo situatë ka sjellë shtyrjen e javës së pestë të Ligës Unike, kjo me kërkesë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që ishte parashikuar të luhej në këtë fundjavë, ndërsa kalendari ishte i atillë Teuta – Tirana, Vllaznia – Rahoveci, Golden Eagle Ylli – Kamza Basket dhe Peja – Prizreni 16.

Kjo javë do të luhet më 4/5 dhjetor, ndërsa për femra gara nis më 24 nëntor. Aktualisht Liga Unike kryesohet nga Teuta, Prizreni 16 dhe Golden Eagle Ylli, që në katër ndeshje numërojnë tre fitore dhe një humbje e 7 pikë. Përtej kësaj shpresohet që kuqezinjtë ta nisin me fitore këtë edicion të parakualifikueseve të Europianit 2025, sikurse dhe Kosova.