RTSH Sport Live

Shqipëria, e pafuqishme përballë Anglisë

  • 28/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, e pafuqishme përballë Anglisë
Kane dhe Mount kanë firmosur fitoren e përfaqësueses angleze në “Air Albania”

Përfaqësuesja kuqezi, e pafuqishme përballë Anglisë në ndeshjen e dytë kualifikuese të Kupës së Botës, Katar 2022. Në 90 minutëshin e zhvilliar në “Air Albania” të besuarit e trajnerit Reja janë dorëzuar përballë Anglisë, e cila ka triumfuar me rezultatin 2-0. Një gol për çdo pjesë loje, me Kane dhe Mount dhe formacioni trajnerit Southgate vazhdon me pikë të plota.

Një sfidë që nisi e kujdesshme për kuqezinjtë, duke mbrojtur në mënyrën e duhur, ndërsa në minutën e 13-të kishin një mundësi të artë për të shënuar. Hysaj shërbeu si duhet për Uzunin, i cili i kishte të gjitha mundësitë për të realizuar, por goditja e tij ka përfunduar mbi traversë.

Një Shqipëri hermetike përballë një Anglie sulmuese, për të ndryshuar gjithçka në minutën e 38-të, moment në të cilin, Harry Kane tregoi cilësitë e tij në momentin e parë të krijuar. Një krosim nga e majta e sulmit dhe sulmuesi i Tottenham nuk fal me kokë, 1-0, rezultat që mbyll dhe pjesën e parë.

E njëjta pamje edhe në pjesën e dytë, me një Shqipëri që nuk ka forcën e duhur për të reaguar përballë Anglisë. Nuk ka vonuar dhe goli i dytë për anglezët, që kanë shfrytëzuar një gabim të Gjimshitit dhe kanë arritur të realizojnë me anë të Mount, pikërisht në minutën e 63-të të takimit.

Nuk ka më histori në minutat e mbetura, kuqezinjtë dorëzohen përballë një emri të madh, provojnë humbjen e parë në këto kualifikuese, në dy ndeshje të luajtura. Anglia e trajnerit Southgate vazhdon me pikë të plota.

SHQIPERI-ANGLI 0-2

Golat: Kane 39', Mount 63'