RTSH Sport Live

Shqipëria, fitore me zemër

  • 25/11/2021
  • |
  • Basketboll
Shqipëria, fitore me zemër
Kuqezinjtë e Afrim Bilalit mundin Luksemburgun 92-89 dhe nisin mbarë parakualifikueset EURO 2025

Shqipëria e basketbollit të meshkujve jo vetëm që e ka nisur me fitore raundin e parakualifikueseve të Kampionatit Europian 2025, por është nderi i këtij sporti në vend. Të paktën në këtë periudhë që ka patur një seri ndeshjesh ndërkombëtare, kuqezinjtë e Afrim Bilalit, edhe për atë fitore heroike me Luksemburgun në sekondat e fundit, 92-89, mbeten pjesa më e mirë e basketbollit vendës. Sepse janë një grup lojtarësh me shumë vlera dhe që bëjnë mirë në të gjitha drejtimet.

Kjo që nga Dallas Mur, Pullazi, Dusha, Shestani, Lilaj, Hysenagolli, Hamati etj. E vërtetuan këtë në ballafaqimin në Xhafzotaj, i cili ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Perioda e parë është me ulje e ngritje, sepse Luksemburgu bën mirë në gjuajtjet për tre pikë dhe në përfundim 27-26. Vazhdohet me këtë ritëm në periodën e dytë, që Shqipëria e ka fituar 21-20 dhe në pushim ka kryesuarb 48-46.

Starti i periodës së tretë është disi i frikshëm, sepse Luksemburgu e nis menjëherë me avantazh, 48-49. Të dyja skuadrat hyjnë në serinë e trepikëshave, aq sa miqtë kanë arritur të shkëputen në diferencë prej katër pikësh. 20-28 perioda e tretë për Luksemburgun dhe në total 66-74. Mirëpo tanët kanë forcën e përmbysjes. Dallimin e bën Dusha me katër trepikësha në periodën e fundit dhe kaq mjafton që fundi të jetë i këndshëm për tanët. 24-15 perioda e katërt për Shqipërinë dhe në përfundim 92-89.

Një fitore që vjen pas një viti e gjysëm, ndërsa në të njëjtën fushë, Shqipëria e Afrim Bilalit, më 12 shkurt 2020, pat mundur Qipron, 71-63. Një start i mbarë i këtij raundi, ndërsa Shqipëria rikthehet në parket në shkurt 2022 me dy transferta, më 24 shkurt ndaj Rumanisë dhe më 27 shkurt ndaj Luksemburgut për ta mbyllur këtë fushatë më 3 korrik në shtëpi ndaj Rumanisë.