RTSH Sport Live

Shqipëria, gati për Kampionatin Ballkanik

  • 16/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Shqipëria, gati për Kampionatin Ballkanik
Luiza Gega dhe Franko Burraj dy emra që do të mund të sjellin medalje nga Krajova

Atletika shqiptare tashmë është gati për Kampionatin Ballkanik të të rriturve, që në fundjavë, pikërisht më 18-19 qershor, do të zhvillohet në Krajovë të Rumanisë. Luiza Gega do të jetë “mbretëresha” e delegacionit kuqezi, ndërsa do të konkurrojë në 5000 metra dhe 3000 metra me pengesa, dy gara në të cilët mban dhe rekordet kombëtare. Respektivisht 15’22”18 në 5000 metra dhe 9’15”48 në 3000 metra me pengesa. Pra, në një farë mënyre, e padiskutueshme për medalje ari. Ndërkohë priten rezultate të larta dhe nga Franko Burraj, një tjetër rekordmen kombëtar në 200 dhe 400 metra.

Pjesë e delegacionit kuqezi janë edhe Iljana Beqiri, që do të konkurrojë në 200 dhe 400 metra, Paola Shyle në 100 metra, Uibi Ahmet në 400 metra me pengesa, Leandro Çardaku në 100 metra, Stivi Kereku në 400 metra, Azgan Zeka në hedhje gjyle, Eraldo Qerama në 800 metra, Durjan Idrizaj në 110 metra me pengesa dhe 400 metra, Korrindo Kiri në kërcim trehapësh. Trajnerë të ekipit do të jenë Bruno Rrotani dhe Taulant Stërmasi, kurse Gjergji Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, do të jetë përgjegjës delegacioni.

Për hir të Kampionatit Ballkanik, që do të jetë përgatitor për Lojërat Mesdhetare në Oran, 25 qershor – 5 korrik, Luiza Gega nuk mundi të marrë pjesë në Diamond League në Paris. Ndaj Ballkaniku rumun i atletikës pritet të ketë trofe për delegacionin kuqezi.