RTSH Sport Live

Shqipëria: Matvei Petrov, i artë në Kupën e Botës

  • 12/06/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Shqipëria: Matvei Petrov, i artë në Kupën e Botës
Gjimnasti rus, i cili garon për Shqipërinë ka zënë vendin e parë në kalin me doreza në Osijek të Kroacisë

Matvei Petrov sjell një tjetër medalje ari për gjimnastikën shqiptare. Pasi është shpallur Kampion Europe në kalin me doreza në dhjetorin e vitit të kaluar në Turqi, por pasi ka fituar dhe medaljen e bronztë në Kupën e Botës në Hungari, Petrov tanimë është përsëri i artë. Pikërisht në Kupën e Botës në Osijek të Kroacisë, Petrov ka zënë vendin e parë në kalin me doreza me 15.166 pikë.

Pas tij është renditur gjimnasti nga Kazakistani, Nariman Kurbanov me 15.033 pikë dhe në vendin e tretë hungarezi Kristofer Mezarosh me 14.066. Një rezultat i mirë, të paktën edhe për trajnerin Alon Hasa, ndërsa Matvei Petrov, për shkak dhe të ftesës që ka përfituar nga Federata Botërore e Gjimnastikës, do të jetë pjesë e delegacionit kuqezi në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Përpara se të shkojë në Tokio, pas gati dy javësh, Petrov do të jetë pjesëmarrës në Kupën e Botës në Katar, atje ku shpresohet të arrihet po i njëjti rezultat si në Osijek. Një sukses i Petrov dhe trajnerit Alon Hasa në veçanti, por në tërësi dhe i gjimnastikës shqiptare, që kështu po afirmohet nëpërmjet një rusi në arenën ndërkombëtare. E me këtë paraqitje, ndonëse ende as gjimnasti e as trajneri nuk e kanë shpallur si objektiv, të gjithë presin medalje olimpike në Tokio nga Matvei Petrov.