Shqipëria ka marrë një fitore të rëndësishme në “Air Albania”, duke mundur Kazakistanin me rezultatin 3-1. Tri pikë që e mbajnë në lojë formacionin kuqezi për të zënë vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C. Tashmë gjithçka mbetet për tu diskutuar në ndeshjen e fundit ku kuqezinjtë do të presin skuadrën kryesuese të grupit, Bjellorusinë dhe alternative e vetme për të arritur objektivin është fitorja. Shqipëria ndodhet në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Bjellorusia në kuotën e 10 pikëve. Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë pas tri ditësh.
Përsa i përket sfidës së sotme, fillimi i 45 minutave të para ishte kërkues për kuqezinjtë, por rastin e parë të rrezikshëm e dhanë lojtarët e Kazakistanit me anë të Vorogovski, gjuajtja e të cilit është neutralizuar nga Berisha. Pas një dialogu të gjatë mes sulmit kuqezi dhe mbrojtjes kazake, të besuarit e trajnerit Reja kanë arritur të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 16-të me anë të Cikalleshit. Një pasim i Memushajt nga e djathta e sulmit është shfrytëzuar maksimalisht nga sulmuesi kuqezi, i cili ka goditur saktësisht me kokë, 1-0. Një gol që i ka dhënë besim formacionit të drejtuar nga Reja, duke realizuar dhe golin e dytë me anë të Ismajlit në minutën e 23-të, 2-0. Por sapo topi është vendosur në mesin e fushës, Aymbetov ka goditur menjëherë, pa u menduar, duke i kapur të gjithë në befasi, edhe portierin Berisha, dhe… 2-1.
Pjesa e dytë ka nisur e kujdesshme, por në minutën e 60-të të takimit kazakët kanë gabuar në fazën mbrojtëse duke shkaktuar penallti në dëm të Abrashit. Manaj ka goditur saktësisht nga pika e bardhe, 3-1 për kuqezinjtë. Rastet nuk kanë munguar në minutët në vazhdim, por rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në sinjalizimin e fundit të gjyqtarit spanjoll, Xavier Estrada Fernandez.
SHQIPËRI-KAZAKISTAN 3-1
Golat: Çikalleshi 16’, Ismajli 23’, Manaj 63(pen.) / Abiken 25’
Kartona të verdhë: Abrashi / Alip, Marochkin, Suyumbayev
Gjyqtarë: Xavier Estrada Fernandez, Roberto Alonso Fernandez, Guadalupe Porras Ayuso, Ricardo de Burgos Bengoechea (Spanjë)
SHQIPËRIA: Berisha, Veseli, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj, Abrshi, Memushaj(Selahi 86’), Kallaku(Gjasula 54’), Uzuni(Doka 67’), Manaj(Balaj 86’), Cikalleshi(Seferi 86’). Trajner: Edi Reja.
KAZAKISTANI: Pokatilov, Alip, Vorogovski, Maroçkin, Kerimzhanov(Fedin 46’), Kuat (Darabayev 88’), Bejsebekov, Abiken(Tagybergen 46’), Sujumbajev(Bystrov 71’), Shetkin, Aimbetov(Khizhnichenko 71’). Trajner: Michal Bilek