RTSH Sport Live

Shqipëria, optimiste përpara Polonisë

  • 25/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, optimiste përpara Polonisë
Kombëtarja e femrave plotësisht gati për ndeshjet e katërt kualifikuese

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra, që drejtohet nga Armir Grima, është në prag të ndeshjes së katërt kualifikuese të Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”. Bëhet fjalë për ballafaqimin me Poloninë, që do të zhvillohet të martën në 19:45 në “Tiki Stadium”, ndërsa skuadra vjen me një moral të lartë, kjo pas fitores 5-0 ndaj Armenisë të enjten pasdite në Arenën Kombëtare. Vajzat kuqezi kanë bërë dhe stërvitjen e fundit përpara ndeshjes në fushën e lojës, ndërsa të shtunën të gjithë lojtaret kanë bërë dhe tamponët, atje ku kanë rezultuar të gjitha negativ.

Madje kombëtarja e Shqipërisë është stërvitur dhe të dielën pasdite, ndërsa gjendja e skuadrës është normale dhe pa probleme fizike. Kjo është sfida e tretë me Poloninë, ndërsa më 6 prill 2018, pikërisht për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Francë 2019”, Shqipëria ka barazuar në fushën polake 1-1. Gjë që shpresohet të arrihet dhe tani, ndërsa vajzat kuqezi janë optimiste për një tjetër paraqitje po aq të mirë edhe ndaj Polonisë.

Shqipëria ndodhet në vendin e katërt të grupit F me 4 pikë në tre takime të luajtura duke lënë pas Kosovën me 1 pikë dhe Armeninë me 0 pikë. Grupi kryesohet nga Belgjika e Norvegjia me 7 pikë, kurse Polonia është në vendin e tretë me 5 pikë. Kjo ndeshje do të gjykohet nga një katërshe zvicerane me kryesore Simona Gisleta. Asistente të saj Emili Obri dhe Laetitia Nuara, ndërsa gjyqtare e katërt Laura Mauricio.