Ndonëse ka nisur premtuese është mbyllur përsëri me një humbje ndeshja e radhës e Shqipërisë në kuadër të grupit G të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Volejbollit për Meshkuj. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Jani Melka janë mundur të mërkurën në 4 sete në Zvicër përballë përfaqësueses vendase. Në fakt,kombëtarja kuqezi ka bërë një set të parë mjaft të mirë, duke kryesuar gjatë gjithë kohës dhe duke ruajtur gjakftohtësinë në fund për ta fituar atë me shifrat 25-23. Por skuadra vendase ka reaguar në setin e dytë duke e kryesuar atë dhe duke e fituar me shifrat 25-20. Dy setet e tjera kanë qenë për t’u harruar për kuqezinjtë e rrjetës, pasi Zvicra i fitoi ato përkatësisht 25-16 dhe 25-10, duke përmbysur shifrat dhe duke e fituar gjithë ndeshjen 3-1.
Duhet theksuar se në këtë fushatë eliminatore, kombëtarja e drejtuar nga Jani Melka ka qenë e pafat, teksa një numër lojtarësh nuk i janë bashkuar ekipit për shkak të dëmtimeve afatgjata, apo arsyeve personale, ndërsa edhe grupi aktual është goditur nga dëmtimet e shpeshta siç ishin ato të kapitenit Anton Qafarena dhe pasuesit Muharrem Deliu.
Në takimin tjetër të grupit G, Rumania fitoi në 4 sete në shtëpi ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Zvicra kryeson renditjen me 8 pikë, e ndjekur nga Rumania me 7, Bosnjë-Hercegovina me 2 dhe Shqipëria po me 2 pikë. Në takimet e radhës, Shqipëria pret Zvicrën në Tiranë, me ndeshjen që luhet më 13 gusht, dhe e mbyll me Rumaninë më 20 gusht po në kryeqytetin shqiptar.