RTSH Sport Live

Shqipëria rigjen fitoren e munguar

  • 30/11/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria rigjen fitoren e munguar
Vajzat kuqezi, të drejtuara nga Armir Grima, marrin fitoren e dytë në kualifikueset e Botërorit

Shqipëria në futboll për femra, e cila drejtohet nga Armir Grima, ka gjetur fitoren e dytë në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”. Madje fitore në transfertë, e cila vjen pas thuajse një vit e tetë muaj, ndërsa më 11 mars 2020, këtë herë për kualifikueset e Kampionatit Europian që më 2022 do të zhvillohet në Angli, pat mundur Qipron 2-0. Në një terren të rënduar për shkak të reshjeve të dëborës në Prishtinë, Shqipëria ka ditur ta vërë shpejt nën kontroll ndeshjen, ndërsa në të 19’ ka kaluar në avantazh me anë të Maksutit.

Në fundin e pjesës së parë, Megi Doçi vendos qetësinë duke shënuar golin e dytë. Mirëpo po në kohën shtesë të 45 minutëshit të parë, Biqkaj ka rihapur lojën kur ka ngushtuar rezultatin në 2-1. Dhe për rrjedhojë në pjesën e dytë, Kosova është munduar ta mbërthejë në zonën e vet kombëtaren tonë. Madje ka rrezikuar, por tonat ia kanë dalë dhe duke kundërsulmuar rrezikshëm arrijnë të gjejnë dhe golin e tretë, që mban firmën e Krasniqit në të 83’.

Në vërshëllimën e fundit të suedezes Lovisa Johanson, Shqipëria i gëzohet suksesit, ndërsa mbërrin në kuotën e 7 pikëve pas dy fitoresh, një barazimi dhe tre humbjeve. Tanimë më 7 prill 2022, Shqipëria do të presë Belgjikën për të udhëtuar më 12 prill drejt Armenisë. Dhe e mbyll këtë fushatë kualifikuese në shtator, atje ku më 1 do të presë Poloninë dhe me 6 do të udhëtojë drejt Norgjevisë. Gjithsesi deri më tani duket një mision i përmbushur për kombëtaren e vajzave, sepse të paktën janë lënë Kosova dhe Armenia nga pas.