RTSH Sport Live

Shqipëria U-16, miqësore me Italinë

  • 21/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U-16, miqësore me Italinë
Trajneri Agron Kërçova ka thirrur 23 lojtarë për këto dy ndeshje në Koverçano

Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç, që drejtohet nga Agron Kërçova, ka nisur grumbullimin në Durrës për dy ndeshjet miqësore, të cilat do t’i luajë përballë Italisë. Mbi bazën e marrëveshjes që ka firmosur Federata Shqiptare e Futbollit me Federatën e Futbollit të Italisë, këto ndeshje do të luhen në Koverçiano. E para më 24 janar në ora 14:30 dhe e dyta më 26 janar në ora 10:30. Për këto dy ndeshje, Kërçova ka ftuar 23 lojtarë, një pjesë e mirë e të cilëve kanë qenë vazhdimisht pjesë e ekipeve kombëtare U-15 e U-16 gjatë vitit që lamë pas e që kanë marrë pjesë në miqësore, apo seleksionimet e shumta. Kuqezinjtë të hënën udhëtojnë drejt Italisë, atje ku do t’i bashkohen edhe katër futbollistët e kombëtares portieri Leonard Kolgecaj, mbrojtësi Darli Kurti dhe dy mesfushorët Rikardo Sheji e Alen Vukaj.  

Këto dy ndeshje miqësore konsiderohen si mjaft e të rëndësishme për të parë gjendjen e kësaj skuadre dhe elementët e perspektivës përballë një rivali prestigjioz si Italia. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Italiane të Futbollit është bërë tashmë traditë që çdo vit mes ekipeve të moshave të Shqipërisë dhe Italisë të zhvillohen miqësore me grupmosha të ndryshme.  

Në muajin dhjetor, Shqipëria U-16 zhvilloi dhe dy ndeshje miqësore me Malin e Zi në Podgoricë e Shkodër.