Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç, që drejtohet nga Ervin Bulku, të martën e ka nisur me këmbë të mbarë turneun e zhvillimit të UEFA-s në Tiranë. Kuqezinjtë kanë fituar 3-0 me Moldavinë, por Bulku nuk ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja, të cilën e pohon dhe për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar.
"Është e vërtetë një start i mbarë, por jo një pjesë e parë e mbarë. E kemi nisur shumë keq. Ndoshta kanë ndikuar dhe emocionet, sepse dihet që kjo është një moshë delikate, një moshë që është në hapat e parë të këtyre turneve zyrtarë. Pjesa e dytë ndryshoi gjithçka. Një rezultat që mendoj se e merituam plotësisht, kjo përsa i përket 45 minutave të dyta", thotë Ervin Bulku.
Lojtarët në këtë aktivitet në pjesën më të madhe janë të gjithë të datëlindjes 2007, të cilët do të përfaqësojnë dhe Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian U-17. Por sa premtojnë për të ardhmen, ndërsa në shkurt paraqitja e tyre ndaj bashkëmoshatarëve të Italisë la shumë për të dëshiruar?
"Kjo moshë ndryshon çdo gjashtë, çdo vit, pasi është një moshë, e cila është në rritje e sipër në të gjitha cilësitë, si ato teknike, ashtu dhe taktike. Ne kemi folur me çunat. Jemi në kontakt gjatë gjithë kohës, por duhet të punojnë shumë nëpër ekipet e tyre e nëpër Akademitë. Sepse në një javë, apo tre ditë që janë me ne nuk është se mund të bëjmë mrekullira", shpjegon i pari i pankinës kuqezi.
Të enjten Azerbajxhani dhe të dielën Ishujt-Faroe për të mbyllur këtë turne ndërkombëtar. Sa vlen rezultati për kuqezinjtë e vegjël?
"Vlejnë këto rezultatë për të rritur dhe për të mësuar, sepse nëse luan mirë dhe nuk fiton besoj se më pas nuk ka më vlerë", bën të ditur Bulku.
Në fund, Bulku ka patur dhe një vlerësim për kushtet e krijuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, teksa për herë të parë një aktivitet ndërkombëtar luhet në fushat e Shtëpisë së Futbollit.
"Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar dhe një herë se di të zhvillojë jo vetëm për grupmoshën që jemi duke folur tani, por për të gjitha moshat turne të tillë. Në dijeninë time është se Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar për të organizuar një Kampionat Europian të moshës deri në 17, apo 19 vjeç", përfundon Bulku.