RTSH Sport Live

Shqipëria U-17, gati për Turqinë

  • 17/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U-17, gati për Turqinë
Trajneri Ervin Bulku shprehet se kjo përfaqësuese është e hapur për të gjithë

Shqipëria e moshës deri në 17 vjeç, që drejtohet nga Ervin Bulku, i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për miqësoren me Turqinë. Ndeshja e parë me 17-vjeçarët e Turqisë do të luhet të mërkurën në ora 17:00 në Arenën Kombëtare, ndërsa Bulku ka treguar gjendjen e futbollistëve, që ai ka grumbulluar për këto miqësore. Madje për të parin e pankinës kuqezi këto miqësore janë të rëndësishme për t’u përgatitur për Elite Round në muajin mars. 

“Ky është grumbullimi i parë për vitin 2023, datëlindja 2006, me të cilët ne jemi kualifikuar në Elite Round. Kishim dy muaj pa u grumbulluar, pasi në fund të tetorit ne mbyllëm kualifikueset e raundit të dytë. Skuadra është pak a shumë e njëjtë, me disa lojtarë të rinj nga seleksionimet që kemi bërë jashtë, në Gjermani e Itali. Kemi afruar 2-3 elementë cilësorë që mund t’i shërbejnë skuadrës. Shpresojmë, se duke qenë se këto janë edhe dy miqësoret e para, janë shumë të rëndësishme për të përgatitur skuadrën dhe për të parë se ku duhet të përmirësohemi, te problemet që ka shfaqur skuadra në eliminatore dhe ku duhet të bëjmë më mirë e të çojmë përpara gjërat e mira që ka skuadra, në mënyrë që të jemi sa më kompetitivë në ndeshjet e muajit mars”, thotë trajneri Bulku. 

Bulku ka vlerësuar dhe kundërshtarin që do të ketë përballë në këto dy miqësore, ndërsa takimi i dytë luhet të premten në “Elbasan Arena” në ora 15:00 

“E kemi parë kundërshtarin, kemi rreth 1 muaj që e studiojmë. Kemi parë videot e ndeshjeve Turqisë në kompeticionin europian dhe miqësoren me Gjermaninë. Është një skuadër shumë e mirë, merr pjesë gjithmonë në Elite Round, ka lojtarë shumë cilësorë, të cilët luajnë në kampionatin turk e gjerman. Por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe mendoj që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë me rezultatet pozitive pasi kemi dy vite që nuk mundemi. Ta nisim vitin mbarë dhe të përgatitemi sa më mirë për Elite Round sepse është një kompeticion shumë i rëndësishëm për ne”, nënvizon trajneri shqiptar. 

E në fund, Bulku është shpresur se kombëtarja është e hapur për të gjitha lojtarët e kësaj moshe. Aq më tepër që kërkohet kualifikimi për në fazën finale të Europianit U-17. “Në radhë të parë, dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit, që na ka mundësuar këto kushte shumë të mira, si rrallë më parë e të luajmë në stadiumin e ri e modern ku zhvillon ndeshjet edhe Kombëtarja A. Ne jemi në dispozicion të futbollistëve të rinj, në mënyrë që ata të ndihen sa më mirë dhe të kemi sa më shumë rezultate të mira. Shpresoj që kuqezinjtë të ambientonen me stadiumin dhe njerëzit e pranishëm. Janë të ftuar të gjithë, pasi futbolli luhet për tifozët dhe uroj të jetë një atmosferë sa më e mirë dhe ne të mundohemi të marrim një rezultat pozitiv që do t’i shërbejë skuadrës pasi siç e thashë ne kemi si qëllim të shkojmë në Europian”, tha trajneri Bulku 

Shqipëria U-17 në Elite Round është në grup me Francën, Zvicrën dhe Letoninë e ndeshjet zhvillohen në mars në Shqipëri.