RTSH Sport Live

Shqipëria U-17, miqësore luksi me Italinë

  • 31/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U-17, miqësore luksi me Italinë
Më 21 dhe 23 shkurt kuqezinjtë e Ervin Bulkun do të presin të kaltrit në Tiranë e Elbasan

Shqipëria e moshës deri në 17 vjeç, që drejtohet nga Ervin Bulku, gjithnjë në përgatitje për Elite Round të Kampionatit Europian, do të luajë dhe dy miqësore të tjera “luksi” në shkurt. Bëhet fjalë për ballafaqimet me Italinë U-17, ndërsa në këtë grumbullim do të jenë futbollistë të datëlindjes 2007, të cilët në muajin tetor do të mund të marrin pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2024. Ndeshja e parë me Italinë U-17 do të luhet më 21 shkurt në Arenën Kombëtare në Tiranë në ora 17:00. Kurse takimi i dytë më 23 shkurt në ora 12:00 në “Elbasan Arena”.

Përpara këtyre dy ndeshjeve, Shqipëria U-17 më 15 dhe 17 shkurt do të jetë përballë Bosnje-Hercegovinës, tanimë me lojtarë të datëlindjes 2006 me të cilët do të marrë pjesë në Elite Round, ndërsa kuqezinjtë janë në grupin e 8-të me Francën, Zvicrën dhe Letoninë.

Stafi teknik i Kombëtares U-17 është duke bërë përgatitje intensive para turneut zyrtar, teksa pak javë më parë ekipi kuqezi zhvilloi edhe dy miqësore me Turqinë, që u luajtën po në Shqipëri ku u aktivizuan po lojtarët e datëlindjes 2006.