Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç në basketboll për meshkuj e ka mbyllur në vendin e fundit Kampionatin Europian të Divizionit B në Matosinhos të Portugalisë. Ndër 22 skuadra pjesëmarrëse e 22-ta, që do të thotë se vitin e ardhshëm do të jetë në Divizionin C, ndërsa kështu basketbollit shqiptar i bëhen katër ekipe në këtë kategori. U-16 djem e vajza dhe U-18 djem e vajza.
Shqipëria në ndeshjen e fundit për vendet 21-22 është mundur nga Kosova, 85-64. Perioda e parë është e ekuilibruar, por që në fund fitohet nga kosovarët, 17-14. 22-18 e dyta për Kosovën, që në pushim ka kryesuar 39-32. Edhe pas pushimit gjërat për kuqezinjtë nuk ndryshojnë, përkundrazi përkeqësohen edhe më shumë. 26-13 e treta për Kosovën, e cila thellon në 65-45. 20-19 e katërta 85-64.
Në këtë ndeshje të fundit lojtari më i mirë Arden Begaj me 20 pikë të shënuara, 12 kapje topi në tabelë, 3 asist, 1 rrëmbim të topit në aksion e sipër dhe 2 blloqe. Shtatë humbje në shtatë ndeshje e ky është përfaqësimi më i keq i moshave në këtë verë të basketbollit europian.
Tanimë duke nisur nga kjo e martë në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt do të zhvillohet Kampionati Europian i vajzave për moshën deri në 18 vjeç, Divizioni C.