Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç në basketboll për vajza, që drejtohet nga Elona Hasanaj, është finaliste e Kampionatit Europian, Divizioni C. Në gjysmëfinale, vajzat e reja kuqezi kanë mundur Andorrën me 14 pikë diferencë e me totalin 67-53.
Në fakt ka qenë një ndeshje e vështirë për skuadrën tonë, veçanërisht dy periodat e para. 14-12 dhe 17-15 dhe në pushim Shqipëria ka kryesuar 31-27. E megjithatë edhe pas pushimit, Shqipëria ka ruajtur të njëjtin ritëm. 19-11 perioda e tretë dhe në total 50-38. E fundit 17-15 dhe përfundimisht 67-53.
Lojtarja më e mirë e Shqipërisë e moshës deri në 18 vjeç për vajza në këtë ndeshje ishte Brikena Mucenji me 23 pikë të shënuara, 10 kapje topi në tabelë, 2 asist, 1 rrëmbim të topit në aksion e sipër të kundërshtarit.
Ndërkohë kjo ishte fitorja e katërt e vajzave kuqezi, të cilat në finale do të përballen të dielën me Maltën në ora 18:00 duke shpresuar se do ta çojnë deri në fund misionin e tyre për të fituar e për të shkuar vitin e ardhshëm në Divizionin B. E deri më tani kjo është kombëtarja më e suksesshme e moshave në këtë verë europiane të basketbollit.