RTSH Sport Live

Shqipëria U-21, ja kundërshtarët e EURO 2025

  • 02/02/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U-21, ja kundërshtarët e EURO 2025
Rumania, Zvicra, Finlanda, Armenia dhe Mali i Zi përballë kuqezinjve të Alban Bushit

Shqipëria e moshës deri në 21 vjeç, që drejtohet nga Alban Bushi, ka njohur të enjten kundërshtarët për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025, që zhvillohet në Sllovaki. Shqipëria ishte në vazon e katërt të këtyre kualifikueseve, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Turqinë, Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Bullgarinë, Uellsin, Bjellorusinë dhe Irlandën e Veriut. Dhe pas tërheqjes së goglave, Shqipëria është shortuar në grupin E së bashku me Rumëninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Sipas kalendarit të UEFA-s ndeshjet e fazës kualifikuese të Europianit U-21 do të nisin në datën 20 mars 2023 dhe do të përmbyllen më 15 tetor të 2024-s. Rumania dhe Zvicra, dy kundërshtarët tanë, do të jenë të impenjuara edhe në finalet e Europianit 2023 në muajt qershor-korrik. Për të përcaktuar datat, oraret dhe vendet ku do të luhen ndeshjet e grupit, përfaqësuesit e FSHF-së do të diskutojnë me homologët e tyre të Grupit E për të vendosur edhe kalendarin përfundimtar.

Në eliminatoret e këtij turneu marrin pjesë 53 vende të ndara në 7 grupe me nga 6 skuadra dhe 2 grupe me nga 5 të tilla. Nëntë skuadrat e renditura në vendet e para të grupeve në përfundim të fazës kualifikuese së bashku me tre vendet e dyta më të mira do të kalojnë direkt për në fazën finale të turneut. Gjashtë vendet e tjera të dyta do të përballen në fazën play-off për të siguruar edhe tre biletat e fundit për finalen e turneut. Ndeshjet e fazës play-off do të luhen në datat 11-19 nëntor 2024. Një grup i vështirë, por jo i pamundur për t’u kaluar nga Shqipëria U-21, që kërkon fazën finale të këtij Europiani në Sllovaki.