Shqipëria e moshës deri në 17 vjeç, e cila drejtohet nga Ervin Bulku, që nga kjo e hënë ka nisur përgatitjet për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022. 24 futbollistët e thirrur nga Bulku janë të grumbulluar në kompleksin “Tropikal”, ndërsa Shqipëria U-17 ndodhet në grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut. Deri të dielën kjo kombëtare do të përgatitet në Durrës, ndërsa trajneri i kuqezinjve, Ervin Bulku, shpreson që skuadra të bëjë maksimumin.
“Në fakt, kemi dy lojtarë që janë dëmtuar javën e fundit. Pjesa tjetër pritet që të vijë sonte në darkë dhe grupi të jetë i plotë. Shpresojmë që dy lojtarë që pritet të marrin pasaportë shqiptare, t’i kemi të gatshëm. Mendoj që edhe këtë javë që do jemi këtu të grumbulluar do të bëjmë maksimumin, duke e ditur që i njohim kundërshtarët, sepse kemi informacionin e duhur për të gjithë kundërshtarët. Shpresojmë që djemtë të jenë në formë të mirë dhe të bëjnë më të mirën në ndeshjet që na presin në eliminatoret e Europianit”.
Bulku është ndalur dhe tek përzgjedhja e lojtarëve, ndërsa i bindur se është grupi ideal për të arritur rezultatet e duhura në këto kualifikuese.
“Unë dhe stafi dhe sektori i ekipeve kombëtare kemi bërë përzgjedhje gjatë gjithë vitit. Mendojmë që kemi marrë lojtarët më të mirë dhe që janë më në formë. Shpresojmë që të gjithë ta tregojnë këtë në ndeshjet në Europian”.
“Nuk më pëlqen të përdor emra të veçantë, se për mua të gjithë, përderisa janë pjesë e ekipit kombëtar janë të rëndësishëm, janë lojtarë që kanë vlera. Shpresojmë të ecin kështu në të ardhmen, që të jenë të vlefshëm për ekipin kombëtar A”,
I pari i bankinës kuqezi ka treguar dhe objektivat që Shqipëria e moshës deri në 17 vjeç ka për këto kualifikuese.
“Është e vërtetë që kemi kundërshtarë të fortë, që janë kundërshtarë si Italia dhe Skocia që kanë marrë gjithmonë pjesë në turin elitë të kësaj grupmoshe, por ne do të bëjmë maksimumin që të arrijmë të paraqitemi sa më mirë dhe pse jo të pretendojmë të marrim sa më shumë pikë dhe të jemi dhe ne në grupin e atyre skuadrave që do të marrin pjesë në Europian”.
Sipas kalendarit, më 27 tetor, Shqipëria U-17 do të luajë me Italinë. Pas tre ditësh, më saktë më 30 tetor, do të sfidojë Skocinë dhe më 2 nëntor mbyll gjithçka me Irlandën e Veriut.