Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç në basketboll për djem jo vetëm që është kthyer tek suksesi në Kampionatin Europian të vendeve të vogla, i cili është duke u zhvilluar në sallën olimpike “Feti Borova”, por ka bërë një lojë bindëse përballë një kundërshtari më shumë se sa inferior në fushën e lojës. Është fjala për Moldavinë, ndërsa diferencat janë të dukshme që në periodën e parë, të cilën Shqipëria e Melzin Lazimit e ka fituar me dhjetë pikë diferencë, 21-11.
I thellë dhe përfundimi i periodës së dytë, gjithnjë në favor të kuqezinjve. 21-9 dhe në pushim skuadra jonë ka kryesuar 42-20. Moldavia është e pafuqishme, kurse kuqezinjtë bëjnë gjithçka mirë sipas mënyrës së tyre. 23-12 perioda e tretë dhe në total 65-32. E fundit është në favor të Moldavisë, por që nuk e prish bukurinë e suksesit të Shqipërisë, ndërsa në përfundim gjithçka është fiksuar në shifrat 82-51.
Kështu Shqipëria e mbyll grupin me një fitore dhe një humbje, ndërsa e enjtja do të jetë për ndeshjen Kosovë – Moldavi, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.