RTSH Sport Live

Shqipëria U19, ja lista anti-Itali

  • 05/08/2022
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U19, ja lista anti-Itali
Trajneri Armando Cungu publikon emrat e lojtarëve për ndeshjen miqësore

Nis punën Kombëtarja U-19 nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu. Tekniku shkodran ka shpallur tashmë listën e lojtarëve që do të grumbullohen për miqësoren me Italinë. Të shtunën do të nisë faza përgatitore ndërsa sfida me të kaltërit do të luhet në datën 10 gusht në qëndrën stërvitore të Covercianos në orën 18:30.

Në këtë listë, Cungu ka përfshirë 20 lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve pjesë e skadrës së sezonit të fundit, ndërsa stafi teknik është i bindur se një pjesë e madhe e lojtarëve kanë rrugë të gjatë për të bërë me ekipet kombëtare.

“Ky është viti i dytë radhazi që Kombëtarja U-19 zhvillon një miqësore ndaj Italisë në gusht, duke e kthyer këtë test tashmë në një traditë. Përfaqësuesja kuqezi do të udhëtojë nesër drejt Italisë ku do të akomodohet në qytetin e Firences. Nën drejtimin e trajnerit Cungu skuadra do të stërvitet për disa ditë në qendrën e Koverçanos, teksa më 10 gusht do të luajë edhe miqësoren ndaj Italisë” thekson Federata.

Kombëtarja U-19 do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022/2023 me kuqezinjtë që janë shortuar në Grupin 7 me Belgjikën dhe Spanjën. Sfidat e këtij grupi do të luhen në Belgjikë në datat 21 dhe 24 shtator.