RTSH Sport Live

Shqipëria U19, trajneri Bulku thërret lojtarët për miqësoren me Kosovën

  • 09/06/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U19, trajneri Bulku thërret lojtarët për miqësoren me Kosovën
Kuqezinjtë sërish në fushë me dy ndeshje, më 14 dhe 16 qershor

Kombëtarja shqiptare U-19 do të rikthehet sërish në fushë me dy ndeshje miqësore kundër Kosovës më 14 dhe 16 qershor. Siç është bërë me dije edhe më herët nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, kuqezinjtë e drejtuar tashmë nga trajneri Ervin Bulku do të luajnë këto dy takime miqësore në stadiumin ‘Kukës Arena’.

Tekniku Bulku ka zbardhur këtë të premte edhe listën me 26 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida, të cilët aktivizohen në kampionate brenda dhe jashtë vendit. 12 prej tyre luajnë në kampionatet e huaja, duke u aktivizuar me ekipe të mëdha si Arsenal, Sampdoria, Perugia, Brescia, Cercle Brugge etj., ndërsa 16 futbollistët e tjerë luajnë në kampionatin shqiptar.

Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin të shtunën e 10 qershorit në Tiranë, ku do të zhvillojnë edhe seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për këto dy sfida miqësore, që janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren U-19. Për tre ditë, skuadra do të stërvitet në fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ndërsa më 13 qershor do të niset drejt Kukësit.

Një ditë më pas, më 14 qershor, kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e parë kundër bashkëmoshatarëve të Kosovës, në stadiumin ‘Kukës Arena’ duke nisur nga ora 18:00. Sakaq, një ditë më vonë, më 16 qershor, Shqipëria U-19 do të luajë edhe takimin e dytë ndaj Kosovës, po në stadiumin ‘Kukës Arena’ në ora 10:30.

Shqipëria U-19 ka zhvilluar edhe ndeshje të tjera miqësore gjatë këtij viti, ato kundër Maltës U-19, ndërsa ka zhvilluar edhe disa seleksionime e grumbullime. Stafi teknik i ekipit kombëtar U-19, me në krye trajnerin Ervin Bulku do të ketë mundësinë të testojë grupin në këto dy miqësore dhe të provojë ekipin dhe lojtarë të rinj e të talentuar që vijnë në ekipin kombëtar U-19. Ndeshjet ndaj Kosovës konsiderohen si shumë të rëndësishme për ekipin kombëtar U-19, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.