RTSH Sport Live

Shqipëria U19, “triplet” ndaj Kosovës

  • 18/06/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U19, “triplet” ndaj Kosovës
Nerguti, Qefaliaj dhe Janaqi firmosin suksesin e skuadrës së Armando Cungut

Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç e ka fituar miqësoren e saj të dytë me Kosovën. Një fitore e pastër 3-0 për djemtë e Armando Cungut, të cilët në “Elbasan Arena”, edhe pse nën temperaturat e larta të mesditës, kanë ditur të imponohen përballë 20-vjeçarëve të Kosovës. Një ndeshje, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Kuqezinjtë dominojnë në lojë, ndërsa i afrohen golit me Qefalijan në të 18’. Madje presioni i vazhdueshëm i lojtarëve tanë në zonën kosovare prodhon dhe penalltinë, të cilën në të 26’ e ka kthyer në gol Nerguti. Kosova shkundet dhe në të 29’ me Halabakun dhe në të 39’ me Hysenin provojnë të barazojnë, por pa rezultat. Dhe tre minuta nga fundi i pjesës së parë Qefaliaj gjen golin e dytë, që do të shënonte fundin e këtij 45-minutëshi loje.

Në 45 minutat e dyta, Kosova bën plot nëntë zëvendësime. Tenton të rrezikojë me goditje dënimi, sikurse është rasti i Shalës në të 52’ dhe në të 68’, por Simoni është i pakalueshëm. Kuqezinjtë janë gjithnjë në kërkim të golit të tretë me Grecën në të 58’, Papën në të 60’ dhe Janaqin në të 63’, por gjithçka devijohet nga Shala.

Dhe përfundimisht goli i tretë i Shqipërisë së moshës deri në 19 vjeç ka ardhur në të 77’ me autor Janaqit, kurse kështu kuqezinjtë kanë bërë një ndeshje të mirë dhe me shumë produktivitet. Madje dhe duke qenë me dhjetë lojtar për më shumë se sa 33 minuta, ndërsa Spahija ka marrë ndëshkimin maksimal në të 57’.