RTSH Sport Live

Shqipëria U20, disfatë tronditëse ndaj Greqisë

  • 14/07/2021
  • |
  • Basketboll
Shqipëria U20, disfatë tronditëse ndaj Greqisë
Të besuarat e Mirza Alibegajt, pa Lugaj në fushë e vetëm me Verrin, munden me 67 pikë diferencë

Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç për vajza në basketboll ka pësuar humbjen e parë në Kampionatin Europian, ndërsa është duke i luajtur ndeshjet në Jerevan të Armenisë. Pas fitores së bujshme me Ukrainën, 80-78, ka ardhur humbja tronditëse me Greqinë. Jo pak, por 67 pikë diferencë me shifrat përfundimtare 112-45. Me përjashtim të minutave të para, ndërsa skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj ka qenë në avantazh 6-2, e gjithë pjesa tjetër e lojës është dominuar nga Greqia.

25-10 perioda e parë për greket, të cilat edhe duke fituar periodën e dytë 26-11 në pushim kanë kryesuar 51-21. Një avantazh që ka ardhur duke u thelluar, sepse greket kanë fituar dhe periodën e tretë 35-9 dhe në total 86-30. E fundit ishte 26-15, që fiksoi fitoren e parë të Greqisë në grupin D, 112-45. Sakaq Shqipëria e vajzave të moshës 20 vjeç të enjten e të premten do të jetë pushim për t’u kthyer në fushën e lojës të shtunën e të dielën, atje ku do të jetë përballë Zvicrës dhe Armenisë për t’i dhënë fund kësaj aventure europiane, e cila në dy ndeshje ka shënuar një fitore dhe një humbje.

Ajo që duhet evidentuar është fakti i mungesës së Mirela Lugajt në fushën e lojë, kjo dhe për shkak dëmtimi, ndërsa lojtari më e mirë e Shqipërisë ishte Klea Verri, që ka luajtur 40 minuta duke shënuar 19 pikë dhe duke marrë 9 topa në tabelë, si dhe 5 asist dhe 1 rrëmbim topi nga kundërshtari. E përtej këtyre fakteve e shifrave disfata ndaj Greqisë duket sikur e kthen basketbollin shqiptar në origjinë.