Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç, që drejtohet nga Iljaz Haxhiraj, e ka humbur ndeshjen e saj miqësore me bashkëmoshatarët e Malit të Zi. Një sfidë, e cila është luajtur të shtunën në mbrëmje në Podgoricë pikërisht në Qendrën Stërvitore të ekipeve kombëtare malazeze. Një ndeshje e ekuilibruar, atje ku vendësit kanë patur forcën për të shënuar nga një gol për çdo pjesë loje.
Kështu në mesin e pjesës së parë, Mali i Zi ka kaluar në avantazh me anë të Bozoviç pikërisht në të 30’. Tanët, edhe sepse është hera e parë që mblidhen bashkë nuk kanë patur forcë reagimi, ndërsa mundësitë janë sporadike. Në pjesën e dytë ka zëvendësime të shumta, kurse malazezët gjejnë dhe golin e dytë me një aksion perfekt nga e majta, të cilën e ka kthyer në gol Gajiç.
Edhe pas dy minutave shtesë të akorduar nga gjyqtari nuk ka ndryshuar asgjë, ndërsa Mali i Zi ka fituar 2-0. Tanimë ndeshja e radhës do të jetë të martën në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.