Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç në volejboll për djem ka pësuar humbjen e dytë në Kampionatin Ballkanik, i cili po zhvillohet në Prishtinë. Por krahasuar me takimin ndaj bullgarëve, ballafaqimi me turqit ka qenë më i mirë për kuqezinjtë e Arben Sakos. Sepse në fund, Turqia ka fituar me vështirësi të madhe 3-2.
Duke marrë dy sete radhazi 26-24 dhe 25-19, Turqia ka krijuar përshtypjen se do ta ketë më shumë se sa të lehtë. Por nuk ka ndodhur kështu. Shqipëria reagon dhe fiton 25-16 setin e tretë dhe 25-21 setin e katërt.
Madje me më shumë kujdes mund të kishte fituar ndeshjen, ndërsa seti i pestë është humbur 10-15. Gjithsesi një pikë në dy ndeshje, ndërsa ballafaqimi i tretë do të jetë ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila është mundur nga Bullgari, 3-0, kurse Kosova është mundur nga Mali i Zi, 0-3.