RTSH Sport Live

Shqipëria U20, start ndërkombëtar me fitore

  • 13/07/2021
  • |
  • Basketboll
Shqipëria U20, start ndërkombëtar me fitore
Vajzat kuqezi, të drejtuar nga Mirza Alibegaj, kanë mundur Ukrainën, 80-78

Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç për vajza e ka nisur me këmbë të mbarë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të vitit 2021, i cili, për shkak dhe të pandemisë Covid-19, apo dhe tërheqjes nga pjesëmarrja në këtë edicion të disa skuadrave, nuk ka ndarje në Divizione. Skuadra, e cila drejtohet nga Mirza Alibegaj, pikërisht në grupin, i cili është duke i zhvilluar ndeshjet në Jerevan të Armenisë, ka arritur të fitojë në sekondat e fundit me Ukrainën, 80-78.

Është dalja e parë në arenën ndërkombëtare e vajzave të moshës 20 vjeç, ndaj dhe suksesi i tyre ndaj Ukrainës merr të tjera përmasa. Duke hyrë në detajet e ndeshjes, Ukraina ka fituar periodën e parë 20-14. Me një përmbysje për t’u marrë shembull, ndërsa Shqipëria arrin të fitojë periodën e dytë 27-20, vajzat kuqezi janë në avantazh në pushim 41-40. Pikë më pikë perioda e tretë, 11-12 për Ukrainën dhe gjithçka e barabartë 52-52. 28-26 e fundit për Shqipërinë, e cila vulos kështu fitoren e parë 80-78 në këtë Kampionat Europian.

Ajo që bëri diferencën në skuadrën tonë ishte Mirela Lugaj, e cila shënoi plot 30 pikë. Kurse Klea Verri, përveç 17 pikëve të shënuara, kishte dhe 8 asist. Në përgjithësi nga 12 lojtare, Alibegaj përdori vetëm 8, të cilat ishin të gjitha shënuese. Ndaj dhe në fund fitorja i buzëqeshi Shqipërisë, e cila të mërkurën do të luajë ndeshjen e dytë ndaj Greqisë, që në ditën e parë ka qenë pushim, kurse Zvicra mundi Armeninë, 88-51, ndërsa aktiviteti mbaron më 18 korrik.