RTSH Sport Live

Shqipëria U20, tjetër humbje në Europian

  • 12/07/2022
  • |
  • Basketboll
Shqipëria U20, tjetër humbje në Europian
Vajzat kuqezi munden nga Turqia me 53 pikë diferencë, në garë edhe kombëtaret U-16

Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç në basketboll për vajza, kjo në Kampionatin Europian, Divizioni B, që është duke u zhvilluar në Shkup, ka regjistruar humbjen e dytë. Tanimë me një diferencë prej 53 pikësh, kjo ndaj Turqisë, ndërsa është rritur numri i pikëve të shënuara krahasuar me ndeshjen e parë ndaj Greqisë, si dhe është ulur numri i koshave të pësuar. Por përsëri humbje, e cila ishte 35-88. Turqia, që nga ana e saj ka marrë fitoren e tretë radhazi në grup, ka treguar nivelin e lartë si skuadër që në periodën e parë, të cilën e ka fituar 4-20. 11-30 e dyta dhe në pushim Turqia ka kryesuar 15-50.

Edhe pas pushimit Turqia mban ritmin e lartë të ndeshjes, ndërsa fiton periodën e tretë 13-25 dhe në total 28-75. E fundit 7-13, sepse të dyja skuadrat kanë aktivizuar dhe lojtaret e stolit, dhe në vërshëllimën e fundit Turqia ka regjistruar shifrat 35-88. Në këtë ndeshje lojtarja më e mirë e Shqipërisë ishte Stela Shallo me 7 pikë të shënuara dhe 6 kapje topi në tabelë.

Ndërkohë në parket, tanimë në Prizren dhe në Korçë, zbresin dhe kombëtaret e moshave deri në 16 vjeç, djem e vajza. Për djem Shqipëria luan me San Marinon, kurse për vajza ndaj Maltës. Edhe këto dy aktivitete, së bashku me Europianin e moshës deri në 20 vjeç për vajza përfundojnë më 17 korrik.