RTSH Sport Live

Shtubina në frymën e fundit, Egnatia kampione

  • 22/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Shtubina në frymën e fundit, Egnatia kampione
Egnatia ka arritur të triumfojë në finale e Kategorisë së Parë, 1-0 përballë Dinamos në “Elbasan Arena”

Finalja e Kategorisë së Parë i ka buzëqeshur Egnatias, falë një goli të shënuar nga Ndriçim Shtubina në frymën e fundit: 1-0 përballë Dinamos.

Në “Elbasan Arena” finalja e transmetuar në RTSH Sport është diskutuar mes dy skuadrave që kanë vendosur diktatin e tyre në grupet respektive: Dinamo në Grupin A dhe Egnatia në Grupin B. Një sfidë e luftuar, me rrogozhinasit më kërkues, me disa raste të pastra të humbura.

Kur pritej që gjithçka ti drejtohej shtesës, ka mbërritur goli i Shtubinës, pikërisht në minutën e 93-të. Një dalje e gabuar e portierit Bakaj, i ka dhënë mundësinë sulmuesit të skuadrës rrogozhinase të dërgojë topin në rrjetë.

Pavarësisht humbjes, Dinamo ka gjithë të drejtën të festojë pasi është rikthyer në Kategorinë Superiore pas një mungese prej nëntë vitesh.

Presidenti i Egnatias, në një prononcim për RTSH Sport ka deklaruar pas ndeshjes: “Emocionet janë shumë të mëdha. Ishte një vit me punë dhe sakrifica, nuk ka emocion më të madh. Deri tani kemi bërë një punë fantastike, me ekipin dhe me moshat. Kemi nisur dhe stadiumin e ri, po ecim përpara. Në Superiore shpresojmë të bëjmë mirë. Kemi nisur dhe bisedimet. Stafi drejtues nuk do të ndryshojë, do të jetë i njëjti. 80% e ekipit do të mbetet, do të bëjmë dhe blerje, do të synojmë tregun shqiptar. Synojmë katër vendet e para, duket çudi por ky është projekti ynë”.