RTSH Sport Live

Shuhet Arben Sinani, ish-portieri i Apolonisë

  • 08/12/2021
  • |
  • Të tjera
Shuhet Arben Sinani, ish-portieri i Apolonisë
Covid-19 e rrëmben në moshën 50-vjeçare ish-portierin e Apolonisë të pas viteve 90

Futbolli fierak dhe ai shqiptar në zi, ndërsa Covid-19 ka rrëmbyer në moshën 50-vjeçare ish-portierin e Apolonisë, Arben Sinani. Vetëm tre ditë më parë kishte mbushur 50 vjeç, teksa pas viteve 90 mbetet legjenda e portës fierake si pasuesi më i denjë i Vladimir Stefës tek Apolonia. Kontributi i tij është i çmuar sidomos në fitimin e të parës Kupë të Shqipërisë nga Apolonia më 1998, ndërsa fierakët e Vangjel Capos do të mundnin në finale Lushnjën, 1-0 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Jo vetëm Sinani, por dhe Bita, Ruko, Haxhiaj, Nuredini, Bare, Dashnor dhe Artion Poçi, Demiri etj do të ishin pjesë e atij formacion që më pas në sezonin, 1998-1999, në tempullin e futbollit shqiptar do të fitonin dhe Superkupën e Shqipërisë ndaj Vllaznisë. E me Apoloninë do të luante në Kupën e Kupave ndaj belgëve të Genk. Talenti i tij do të përfitohej më pas nga Bylisi, ndërsa më 2001-in, këtë herë me ballshiotët, do të jepte kontributin e tij në Kupën Intertoto ndaj Universitateas së Krajovës.

Një dhimbje e madhe për humbjen e një emri që ka lënë historinë e tij tek Apolonia e pas viteve 90. Redaksia e RTSH Sport i shpreh ngushëllime familjarëve të Arben Sinanit dhe të gjithë komunitetit të futbollit fierak për këtë ndarje të parakohshme nga jeta.