RTSH Sport Live

Shuhet Ferid Berberi, ish-kampioni i peshëngritjes

  • 14/12/2021
  • |
  • Të tjera
Shuhet Ferid Berberi, ish-kampioni i peshëngritjes

Afro një vit më parë do të dekorohej me titullin, “Mjeshtër i Madh” duke marrë shpërblimin e merituar moral, për një jetë që ia kushtoi sportit të shtangës. Por mëngjesin e 14 dhjetorit, Ferid Berberi është ndarë nga jeta, duke lënë pas shumë dhimbje, jo vetëm për familjen, por për gjithë opinionin sportive. Sëmundja e rëndë e rrëzoi kollosin e sportit, që punoi ndershmërisht për më shumë se 50 vite për sportin e peshëngritjes.

 Ai do të mbahet mend si ish-sportist kampion me Dinamon në vitet 1972, 1973, 1974 dhe 1975 e më pas si trajner po me Dinamon në vitet 1976 dhe 1979 dhe me ekipin tonë përfaqësues, duke nxjerrë emra të mëdhenj si Aleksandër Kondo, Muharrem Berisha, Agron Haxhihyseni, Xhemal Qarri, Ardian Kokonozi e mjaftë të tjerë.

Pas viteve 90’ ai drejtoi për një dekadë dhe Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, deri në vitin 2000 duke shënuar mjaft rezultate pozitive, në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndershmëria dhe profesionalizmi ishin dy kolonat e jetës së tij, që e shoqëruan deri në frymën e fundit.