Humbëm Vladimir Grillon, ikonën e ekranit të RTSH-së dhe figurën qëndrore të sportit në këtë televizion për vite me radhë. Humbëm legjendën e gazetarisë sportive, prej të cilit mësuam të gjithë ne. Mësuam kronikën, telereportazhin, dokumentarin dhe gjithçka që lidhej me gazetarinë sportive. Humbëm njeriun që jetën e kishte lidhur me dy gjëra: sportin dhe ekranin. Humbën gazetarin e Rubrikës Sportive apo komentatorin e mijra ndeshjeve të kampionateve apo ekipeve kombëtare, zërin e Lojërave Olimpike, Europianeve apo Botërorëve.
Në moshën 74-vjeçare u shua një yll i gazetarisë, ai që ngriti në një dimension tjetër Rubrikën Sportive në RTSH dhe e vazhdoi për disa dekada, ai që do të mbahet mend për mijëra kronika e transmetime. Nga viti 1970 e deri në 2016, kur dhe doli në pension, Vladimir Grillo bëri emrin e tij të padiskutueshëm dhe profilin e veçantë ku do të mbahet mend gjatë për qetësinë dhe profesionalizmin. Prej dy vitesh ai vuante nga një sëmundje, e cila e mori para kohe. Një vit më parë, në 2020 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me titullin Mjeshtër i Madh, ndërsa ishte fitues i shumë çmimeve dhe dekoratave në afo 50 vite kontribut në gazetarinë sportive.
RTSH Sport shpreh ngushëllimet dhe ndan dhimbjen me familjen Grillo dhe familjen e madhe të sportit, por dhe gazetarisë për këtë ikje pa kthim, prej së cilës të gjithë ne ndjejmë dhimbje dhe rikthejmë kujtime të panumërta në adresë të tij.
Lamtumirë Lad Grillo.