RTSH Sport Live

Shuhet komentatori i njohur sportiv, Kosta Grillo

  • 05/10/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Shuhet komentatori i njohur sportiv, Kosta Grillo
 Komentatori i njohur i sportit ndërroi jetë në Turqi për shkak të Covid-19

Gazetaria dhe sporti shqiptar ka marrë sot në mëngjes një lajm të dhimbshëm, teksa është mësuar se gazetari dhe komentatori i njohur sportiv Kosta Grillo, ka humbur betejen me virusin korona. Komentatori i njohur ka qenë i shtruar në një spital në Turqi që prej muajit gusht për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore nga koronavirusit.

Grillo mbahej në intubim nga mjekët, por fatkeqësisht, gazetari nuk ka mundur ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë dhe ka ndërruar jetë. Grillo i përket  brezit të gazetarëve sportivë që vërshuan në mediat shqiptare  pas vitit 1990.

Fillimisht ai ishte i pranishëm në mediat e shkruara me shkrime dhe analiza të shumta. Më pas Grillo u bë i njohur si komentator sportiv, veçmas i futbollit në RTSH, ku ka dhënë një kontribut të çmuar. Në arkivin e tij RTSh ruan ngjarje shumë të rëndësishme sportive të sjella në komentin profesional të Kosta Grillos.

Largimi i tij nga kjo jetë do të sjellë mungesën e pazëvendësueshme në familje, por edhe në gazetarinë sportive shqiptare, të cilës Grillo i kushtoi jetën.