RTSH Sport Live

Shuhet legjenda Ramazan Rragami

  • 15/01/2022
  • |
  • Të tjera
Shuhet legjenda Ramazan Rragami
Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur shkodran u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare

Ditën e shtunë futbolli shkodran dhe ai shqiptar kane marrë një lajm të trishtueshëm. “Mjeshtri i madh” Ramazan Rragami ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare. Ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prej shumë kohësh ishte i sëmurë, por shpresohej te fitonte “ndeshjen e jetës”. Para disa javëve, ai u rikthye në Shkodrën e tij, ku edhe mbylli sytë,  duke lënë pas një hidhërim të thellë jo vetëm tek familja e tij, por edhe tek i gjithë komuniteti i futbollit shkodran dhe shqiptar. Ramazan Rragami u lind në Shkodër më 3 prill 1944 dhe që prej moshës 12-13 vjeçare dhe deri para 2-3 vitesh, ka qenë gjithnjë protagonist tek futbolli, pra për një periudhë 60-vjeçare, pa asnjë shkëputje për asnjë moment.

Ai shfaqet në formacionin e Vllaznisë në kampionatin e vitit 1961, saktësisht më 24 shkurt të këtij viti në ndeshjen Flamurtari- Vllaznia 2-1, kur ai ende nuk i kishte mbushur 17 vjeç, duke shënuar kësisoj debutimin me të dhe luan me Vllazninë deri në janar të vitit 1965 sepse më pas kalon tek Partizani me të cilin luan deri në vitin 1968. Më pas kthehet sërish në Shkodër teksa luan me Vllazninë deri në fund të sezonit 1974-75.

Mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Vllaznisë e të futbollit shqiptar, duke detyruar madje edhe UEFA-n të ndryshonte rregullin e goditjes së 11-metërshve nga një lojtar i vetëm, ndërsa është trajneri i “Shpresës” së Shqipërisë që e kualifikoi atë në 8 më të mirat e Evropës për këtë grupmoshë në vitin 1983. Si futbollist, për fat të keq ka vetëm 19 ndeshje të luajtura me kombëtaren ngaqë në ato vite ajo nuk ka zhvilluar shumë ndeshje brenda një viti megjithatë ka qenë gjithmonë në nivele të larta dhe madje edhe kapiten i saj.

Ndërkohë që duke luajtur me Vllazninë dhe Partizanin, ai pati regjistruar gjithsej 90 ndeshje ndërkombëtare. Rragami ka qenë shumë i suksesshëm edhe si trajner me Vllazninë të cilën e drejtoi për disa vite duke fituar edhe trofe, ndërkohë që kulmin e tij e ka me ekipet kombëtare dhe kryesisht me atë “Shpresa” në vitin 1983 ku arriti ta radhisë atë në mes më të mirave të Evropës.

Për shumë vite ka drejtuar edhe klubin Vllaznia me shumë seriozitet. homazhe në nderim të Ramazan Rragamit do të zhvillohen të dielën, në Stadiumin “Loro Boriçi”, nga ora 10:00, deri në ora 13.00.