RTSH Sport Live

Shuhet Ylli Mihali, fizioterapisti i Kombëtares

  • 13/09/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shuhet Ylli Mihali, fizioterapisti i Kombëtares
Fizioterapisti i Kombëtares ndërron jetë në moshën 55-vjeçare për shkak të “Covid-19”

Futbolli shqiptar ka marrë një lajm të hidhur të hënën paradite, pasi është mësuar se fizioterapisti i Kombëtares kuqezi, Ylli Mihali, ka ndërruar jetë, si pasojë e virusit të “Covid-19. Mihali nuk i mbijetoi dot betejës me virusin korona, teksa ishte ishte shtruar në spital dhe ishte në intubim, duke u ndarë kështu nga jeta në mënyrë të parakohshme, në moshën 55-vjeçare. Ai u infektua përpara ndeshjes ndaj San Marinos, ku Shqipëria triumfoi me rezultatin 5-0 në fushatën eliminatoret të Botërorit “KATAR 2022”.

Në fakt, përpara asaj ndeshjeje, lojtarët dhe stafi i Kombëtares dolën në nxjemje me bluza të posaçme, ku ishte shkruar një mesazh inkurajues për 55-vjeçarin. Ylli Mihali ishte pjesë e stafit mjekësor të Kombëtares shqiptare në rolin e fizioterapistit prej 30 vitesh dhe ka ndërruar jetë duke shokuar mbarë opinionin publik, miqtë, kolegët dhe familjarët e tij. Lidhur me këtë lajm të kobshëm ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ndër të tjera, në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale, ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që Ylli Mihali ka dhënë për familjen e madhe të futbollit shqiptar.

Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njohu dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij”, - shkruan Duka, duke vijuar: “Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qënë pranë tyre në ҫdo situatë. Humori, dashuria për njerzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë.

Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe”, - përfundon mesazhi i kreut të organizmit që qeveris futbollin shqiptar.