RTSH Sport Live

Siglohen ekipet e Play-off për titull

  • 23/03/2023
  • |
  • Basketboll
Siglohen ekipet e Play-off për titull
Teuta, Besëlidhja, Tirana dhe Kamza Basket në garë për trofeun, bie Vllaznia

Basketbolli shqiptar është kthyer në parket, ndërsa deri në mbylljen e garës së rregullt me vajtje-ardhje kanë mbetur dhe dy javë. Besëlidhja ka fituar ndaj Apolonisë, 94-64. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Teuta, që ka mundur në “Ramazan Njala” të Durrësit, Tiranën, 90-63. Ndërkohë Kamza Basket me fitoren në “Qazim Dervishi” ka vulosur rëniën e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, një rënie që shënon rrëzimin e basketbollit të meshkujve shkodran, edhe pse janë skuadër me një sërë trofeshë dhe histori në koshit shqiptar.

Ndërkohë tanimë, edhe pse ka dy javë për t’u luajtur, janë sigluar dhe katër ekipet që do të luajnë në Play-off për titull kampion sipas skemës 1-4 dhe 2-3. Që do të thotë Teuta – Kamza Basket dhe Besëlidhja – Tirana. Vllaznia tashmë ka rënë, ndërsa do të zëvendësohet nga Flamurtari, kurse Apolonia do të luajë Play-out me Partizanin. Në këtë mënyrë, koshi shqiptar i meshkujve ka hyrë në fazë interesante.