Prej disa ditësh, trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka nisur një tur nëpër Evropë për të ndjekur nga afër lojtarët kuqezi dhe për t’u takuar me disa prej tyre. Sipas asaj që informon Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, javën e kaluar, braziliani i stolit kuqezi ishte në Portugali, për të parë Enea Mihajn, në ndeshjen që klubi i tij, Famalisao zhvilloi ndaj Portos dhe pati një takim me mbrojtësin kuqezi. Po javën e kaluar, Silvinjo, së bashku me ndihmësi i tij, Pablo Zabaleta, ka ndjekur edhe ndeshje të Granadas dhe Espanyol në Spanjë, ku janë aktivizuar Myrto Uzunin dhe Keidi Baren, me të cilët është takuar pas ndeshjeve dhe ka diskutuar për situatën që po kalojnë me klubet dhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares shqiptare.
Të dielën, së bashku me ndihmësin tjetër, Doriva Junior, trajneri ishte në Zvicër për të ndjekur ndeshjen e Gras’hopersit në kampionatin zviceran, ku Abrashi u aktivizua për 90 minuta. Edhe këtu, trajneri brazilian është takuar pas ndeshjes me mesfushorin kuqezi dhe ka diskutuar për ndeshjet e qershorit në Eliminatoret e Evropianit. Aktualisht, trajneri i Kombëtares së bashku me Dorivën ndodhen në Itali, ku gjithashtu do të kenë mundësi të takohen me disa prej lojtarëve shqiptarë të cilët aktivizohen në kampionatin italian, duke nisur që nga Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti, Etrit Berisha apo edhe Elseid Hysaj, ndërsa ka ndjekur mesfushorin Nedim Bajrami në ndeshjen e së hënës Sasuolo-Bolonja.
Silvinjo dhe stafi i tij teknik vazhdojnë me intensitet punën, duke u përgatitur për ndeshjet e qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, dy sfida shumë të rëndësishme në Eliminatoret e Evropianit, ndërsa ky tur është mjaft i vlefshëm për trajnerin që ka mundësi të shohë nga afër gjendjen e disa prej lojtarëve të Kombëtares dhe të diskutojë me to. Po kështu, trajneri i Shqipërisë ka pasur komunikime të vazhdueshme me lojtarët kuqezi qoftë edhe për video-bisedave dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë grupin.