RTSH Sport Live

Sinella: Besa ra në “kurthin” tonë

  • 21/12/2020
  • |
  • Futboll Vendi
Sinella: Besa ra në “kurthin” tonë
Trajneri i Tomorit, Bledar Sinella i ftuar në emisionin “E Hëna Sportive” në RTSH, tregon mënyrën se si e kishte përgatitur fitoren ndaj kavajasve

Tomori ka fituar javën e 7-të të Kategorisë së parë, duke mundur Besën me rezultatin 1-0. Beratasit janë ngjitur në kuotën e 11 pikëve vetëm 1 pikë larg kreut në Grupin B, që mbahet nga Egnatia dhe Lushnja. Tekniku i Tomorit, Bledar Sinella ka qënë një prej të ftuarve të emisionit “E Hëna sportive” dhe ka analizuar fitoren ndaj kavajasve. “Nuk ishte një ndeshje e lehtë me Besën. E kishim përgatitur shumë mirë, sepse e para na duheshin 3 pikët, e dyta njihnim mirë edhe forcën e kundërshtarit. Kishim ndryshuar këtë radhë edhe taktikë, sepse luajtëm me tre në qendër dhe i dhamë pak fushë Besës, e cila ra në grackën tonë. Mund të kishim shënuar edhe një gol të dytë për të mbyllur ndeshjen, por me forcë karakteri dhe shpirt gare deri në fund arritëm fitoren dhe rezultatin që dëshironim”- shprehet Sinella.

Tomori në fakt është ndërtuar shumë vonë këtë sezon, por trajneri i ardhur rishtas në Berat ka shumë besim që mund të ketë një ecuri pozitive në javët në vijim. “Me ecurinë e ekipit jam shumë i kënaqur. Ajo që me djeg është humbja në Vlorë, jo sepse nuk mund të humbasesh ndaj Flamurtarit në fushën e tij, por mënyra si erdhi nuk me ikën nga mendja. Jemi vet-barazuar me Cërrikun, sepse shënuam autogol në fund, pastaj ndeshjet e tjera mendoj që kemi marë maksimumin. Kemi një organike të mirë, por na mungojnë alternativat cilësore. Kemi filluar shumë vonë këtë sezon. E nisëm stërvitjen në 1 shtator dhe kampionati niste në 19 shtator, por na erdhi në ndihmë bojkoti”- deklaron Sinella.

Për sa i përket të ardhmes dhe projaktit sportiv të beratasve trajneri shton:- “Projekt është fjalë e madhe. Jetojmë në Shqipëri dhe vazhdimësia është problem gjithnjë. Në teori kemi nisur një punë afatgjatë, por pastaj nisin problemet sepse këtu dihet; po fitove të bëjnë për Superiore, pot ë barazosh të zbresin nga kategoria. Ja ku janë rastet, Memushi tek Oriku, apo edhe Kavaja që hoqi trajnerin pas fitores. Nëse na lënë kohën e duhur dhe në janar të bëjmë përforcime, pse të mos shpresojmë”.

Javën e fundit për këtë vit, Tomori e luan kundër Egnatias në Peqin. Skuadra që drejtohet nga Magani është projektuar si forca e parë e Grupit b në kategorinë e parë, por Sinella nuk trembet. “Nuk kemi frikë asnjë ekip. Patjetër që dimë përforcimet dhe investimet tek Egnatia, por ne do të bëjmë ndeshjen tonë. Edhe barazimin e quaj rezultat pozitiv”, - përfundon rëfimin Bledar Sinella i ftuar në emisionin “E hëna sportive”.