RTSH Sport Live

Skënderbeu dhe Apolonia, një barazim në sfidën për mbijetesë

  • 24/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Skënderbeu dhe Apolonia, një barazim në sfidën për mbijetesë
Në Korçë ka përfunduar në barazim 1-1, të dy golat u shënuan me penallti në pjesën e dytë: Meksi për vendasit dhe Gjata për fierakët

Skënderbeu dhe Apolonia nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në sfidën e e konsideruar si finalja e mbijetesës, takim i vlefshëm për javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Pas një pjese të parë, me korçarët më kërkues, gjithçka do të vendoset në të dytën dhe pikërisht nga pika e bardhë. Në fillim Meksi për vendasit, e më pas Gjata për fierakët i japin kuptim një ndeshja, që mund të konsiderohet si një humbje për Skënderbeun dhe një pikë me shumë vlerë për Apoloninë.

Fillimi i shpalos një Skënderbe më kërkues, në minutën e 10-të askush nuk u beson syve se çfarë ka humbur sulmuesi i korçarëve, Mensa, i cili i vetëm përballë portës nuk arrin të mposhtë portierin e fierakëve, Harizaj. Pavarësisht presionit vendas, edhe Apolonia në disa moment është përpjekur të reagojë, por pa qartësinë e duhur në metrat e fundit.

Fillimi i pjesës së dytë ka sjellë dhe penalltinë në favor të skuadrës korçare për një prekje të topit me dorë. Kapiteni Meksi nuk fal dhe 1-0. Vetëm gjashtë minuta më vonë është edhe njëherë Mensa që bën më të vështirën, nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë. Kur nuk shënon e pëson dhe ligji i pashkruar i futbollit ngjitet në skenë në Korçë, kësaj radhe në favor të Apolonisë. Është Mario Gjata që pengohet në zonë dhe fiton një penallti, të cilën e ekzekuton po vet, duke vendosur barazpeshën.

Minutat në vazhdim janë për Skënderbeun, por pavarësisht dëshirës, mungon saktësia para portës kundërshtare. Barazim 1-1 dhe kështu Apolonia i gëzohet një pike, ndërsa Skënderbeu nuk u beson syve për mundësinë e humbur.

SKËNDEBEU-APOLONIA 1-1

Golat: Meksi 52′ (pen.)/ Gjata 72′ (pen.)