RTSH Sport Live

Skënderbeu-Flamurtari 1-1, dy minuta vendosin gjithçka

  • 07/11/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Skënderbeu-Flamurtari 1-1, dy minuta vendosin gjithçka
Korçarët kalojnë të parët në epërsi, por vlonjatët barazojnë menjëherë e ndajnë pikët

Pasi ka luajtur të shtunën 4 takimet e para dhe të dielën dy takime të tjera, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka mbyllur të hënën javën e 9-të me takimin e fundit të saj, atë të Korçës midis Skënderbeut dhe Flamurtarit. Ndeshja e zhvilluar të hënën pasdite në Stadiumin “Stadiumin” të Korçës ka parë skuadrën vendase të jetë më këmbëngulëse dhe në minutën e 19-të, është Pusi i cili godet me kokë dhe e detyron Kaloshin të devijojë topin mbi shtyllën horizontale. 8 minuta më pas, vjen një tjetër grushtim i Kaloshit pas gjuajtjes së Pusit nga e djathta, duke shmangur një gol të sigurt për ekipin korçar, ndërsa në minutën e 31-të, Liço ekzekuton një goditje dënimi ballore por portieri i Flamurtarit i përgjigjet mjaft mirë, duke mbajtur të paprekur rrjetën e portës së tij.

Me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dyta do të ndizet menjëherë, pasi në minutën e 53-të, pas një goditje nga këndi, topi shkon te Temitope i cili me kokë e dërgon atë në rrjetë, duke e kaluar Skënderbeun në epërsi. Një epërsi që zgjat sidoqoftë zgjat vetëm dy minuta, pasi një ndërthurje e shpejtë në qendër sjell barazimin e vlonjatëve, pasi Erik Flores gjuan godet mjeshtërisht në hyrje të zonës dhe mposht portierin vendas, Ruçin. Goli i shënuar e ka kthyer barazpeshën e lojës në favor të miqve, që besojnë më tepër dhe i afrohen përmbysjes në minutën e 72-të, kur Felipe godet fort nga jashtë zone, por Ruçi e grushton me vështirësi topin, duke e dërguar jashtë për një këndore.

Minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato 4 shtesë që bëhen 5 do të rikthejnë lojën e barazpeshuar dhe më të kujdesshme për të mos pësuar gol të të dyja skuadrave dhe, për rrjedhojë, ndeshja midis Skënderbeut dhe Flamurtarit do të mbyllet në barazim 1-1, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një një pikë. Një pikë që i rikthen vlonjatët në krye të renditjes, por tanimë me 18 pikë, po aq sa ka edhe Dinamo, por që e ngjit Skënderbeun një shkallë më lart, në vendin e 5-të, në kuotën e 13 pikë. Duhet theksuar se korçarët kanë luajtur një ndeshje më pak, atë kundër Apolonisë.