RTSH Sport Live

Skënderbeu, i gjymtuar para Partizanit

  • 27/11/2020
  • |
  • Futboll Vendi
Skënderbeu, i gjymtuar para Partizanit

Skënderbeu nuk ka më kohë për të humbur dhe as për të menduar humbjen në shtëpi me Kastriotin. Ndeshja ndaj Partizanit është tek dera dhe korçarët kanë filluar menjëherë përgatitjen për këtë takim. Julian Ahmataj ka kërkuar këtë herë të ketë në kohë rekord dvd e ndeshjeve të partizanit këtë sezon për të pasur kohë që të studiojë kundërshtarin jo sikundër ka ndodhur ndeshjet e kaluara. Numri një i pankinës  bardhekuq ka filluar kështu punën për të përgatitur ekipin në një takim që pritet të jetë tejet i vështirë dhe shumë delikat. Sikur të mos mjaftonte humbja e fundit dhe ditët e pakta në dispozicion për të përgatitur ndeshjen, trajneri i skënderbeut ka edhe dilemat e formacionit që janë të lidhura ngushtë me problemet e lojtarëve që munguan edhe në ndeshjen e fundit.

Mbrojtja: Ky repart është një nga më të goditurit përsa i përket mungesave. Me Shalën, që edhe pse është bashkuar me grupin do ende kohë të jetë gati për një ndeshje zyrtare, nis kalvari i mungesave. Në dilemë është edhe kapiteni Meksi që nuk është stërvitur me grupin seancat e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të rikuperojë vetën nga goditja e marrë apo jo. E njëjta gjë vlen edhe për Bicajn. Kapiten në ndeshjen e fundit, lezhjani duket se shtrëngoi dhëmbët pasi nuk ishte në top formë por bëri një paraqitje mjaft të mirë. Edhe seancën e parë të kësaj jave shtatlarti e ka zhvilluar veçmas dhe pritet të shihet në dinamikë si do të ecë. 

Mesfusha: Me Randin jashtë prej javësh Skënderbeu ka humbur një lojtar të rëndësishëm në javët e para përsa i përket fizikut dhe rendimentit. Në anën tjetër Ahmataj është gjithë sy e veshë nga Rrapaj, i cili në limite të ndeshjes me Kastriotin nuk u aktivizuar për probleme fizike. Mesfushori vlonjat ende vijon të stërvitet veçmas dhe kjo shton pikëpyetjet. Për tu cilësuar edhe edhe gjendja e Marës. Ndaj kastriotit maliqari nuk ishte në formën e tij më të mirë dhe kjo u pa. Dëmtimi që e la jashtë për një javë e pak i ka lënë ende gjurmë.