Një nga surprizat e kësaj jave në Kategorinë Superiore, sigurisht që ishte barazimi pa gola i skuadrës së Tiranës në fushën e Skënderbeut. Korçarët kanë ndryshuar ritëm, sidomos në katër javët e fundit ku ka marrë tre fitore, dy në kampionat dhe një në Kupë, si dhe një barazim. Sigurisht, një meritë shkon edhe për trajnerin, Migen Memelli, që e mori skuadrën në një situatë kritike dhe tani shpreson për mbijetesë. Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, trajneri i korçarëve ka analizuar:
“Në momentin që kam marrë skuadrën, ana psikologjike ishte shumë e rënduar për grupin e lojtarëve. Pa diskutim që kemi punuar në këtë pjesë, të mos harrojmë që fillova të kuptoj, ditë pas dite dhe javë pas jave, ishte konsolidimi i skuadrës. Stabiliteti në skuadër është shumë i rëndësishëm, njohja e lojtarëve me njëri tjetrin është një pikë kyçe”.
“Përballja me Tiranën? Është një skuadër, e cila mbështetet tek disa element cilësorë, që i ka vetëm ajo dhe asnjë skuadër tjetër. Por dija dhe pjesën tjetër, dobësinë në mosmenaxhimin e situatave në mbrojtje. Duke parë në këtë këndvështrim menduam të izolonim lojtarët që ishin më të fortë, Kale Torasa, Seferi dhe Batha dhe na rezultoi ashtu sikurse u mbyll takimi. Mendoj se skuadrat morën atë që merituan në fushën e lojës”.
“Pika e kthesës mendoj se ishte ndeshja me Kastriotin, të cilën e humbëm në shtëpi. I pashë lojtarët pas ndeshjes të dorëzuar. Gjithsesi, unë jam një person që nuk dorëzohem. Ajo që më jep shumë besim është puna, besoj tek puna ime, javë pas jave jam munduar të imponoj në karakterin e futbollistëve se çfarë duhet të bëjnë në punën e tyre. Janë lojtarë të rinj dhe kanë një karrierë të gjatë përpara. Nuk mund ta lëshojnë veten, të dorëzohen me 15 apo 16 javë përpara”.
“Ne luftën e kemi me veten tonë dhe me asnjë skuadër tjetër. Unë nuk e di se çfarë do të bëjë Bylisi, Apolonia apo Kastrioti që e kemi mbi vete, por kam besimin se do të marrim maksimumin në çdo ndeshje të radhës që do të vijë, duke llogaritur dhe ndeshjen e Kupës, që do të luhet të mërkurën me Teutën”.
“Skënderbeu po respekton kampionatin, mund të them se është një nga kampionatet më të vështira të viteve të fundit. Sfida e Skënderbeut është ndeshja e radhës. Nuk duhet të mendojmë se çfarë do të ndodhë pas nëntë javësh”.