Merkatoja e Skënderbeut është bllokuar përkohësisht nga FIFA, por në klubin korçar nuk janë të qartë për problematikën që e ka shkaktuar këtë lëvizje nga ana e institucionit më të lartë të futbollit botëror. RTSH Sport kontaktoi me drejtues të lartë të klubit juglindor, të cilët nuk mund të japin një përgjiguje konkrete për çështjen që ka pezulluar lëvizjet zyrtare në merkato pasi shprehen të bindur që të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj ish–lojtarëve janë likujduar dhe momentalisht Skënderbeu nuk ka asnjë çështje të hapur.
Gjithsesi, Skënderbeu ka lëvizuar menjëherë duke kërkuar informacion shtesë nga FIFA që duhet ta japë brenda pak ditësh dhe klubi bardhekuq siguron se do të veprojë me shpejtësi për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje. Në kampin korçar janë optimistë se ngërçi do të zgjidhet sa më shpejt pasi në zyrat drejtuese nuk ka asnjë çështje pezull dhe ndoshta në këtë rast bëhet fjalë për detaje të parëndësishme që mbajnë të bllokuar merkaton e 8 herë kampionëve të vendit.
Momentalisht Skënderbeu nuk mund të federojë asnjë lojtar por javën tjetër kjo problematikë do të marrë fund dhe trajneri Migen Memelli mund të punojë me dy apo tre afrime që mund ta përforcojnë edhe më shumë skuadrën në prag të rikthimit në fushën e blertë për të finalizuar një tjetër sezon ku Skënderbeu do të kërkojë mbijetesën.