RTSH Sport Live

Skënderbeu trondit Kastriotin

  • 02/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Skënderbeu trondit Kastriotin
Korçarët kanë arritur të marrin një fitore 2-0 përballë krutanëve në sfidën e luajtur në stadiumin e Kamzës

Një skuadër e dehur hedh në tapet Kastriotin për të siguruar nje sukses vendimtar në finalen e mbijetesës që i buzëqesh Migen Memellit. Skënderbeu befason në Kamëz dhe mposht pastër 2-0 krutanët duke siguaruar 3 pikë që ndezin shpresat për qëndrimin në Kategorinë Superiore, madje pa iu falur raundit play off.

Një 90 minutësh me dy tablo, veçanërisht në pjesën e dytë ku miqtë me fare pak impenjim shkërmoqën rivalët direkt, të cilëve nuk i vlejti aspak loja superior dhe rastet e krijuara.  Krutanët, të trembur nga hija e play off-it, e nisën takimin dukshëm me një marsh më tepër, përballë miqve të cilët ndryshe nga sa pritej, nuk reflektuan në fushë besimin e fituar veçanërisht pas triumfit ndaj Bylisit.

E mefshtë dhe e ndrojtur skuadra e Memmellit, që i vari shpresat tek loja fizike e Mensah. Dominon Kastrioti, provojnë me rradhë Prodani, Okebugu dhe  Mehmeti, por herë për meritë të gardianit Rexhepi dhe herë për mungesë saktësie, rezultati nuk ndryshon.  Pjesa e pare mbyllet me dy episode tensioni që bëjnë për ujë të ftohtë trajnerin e krutanëve, Ndreu. Fillimisht tradhëtohet nga Prodani, që shfryn nervat ndaj Vangjelit, dhe meriton kartonin e dytë të verdhë për t’i lënë të tijtë me 10 lojtarë.

Nuk përfundon me kaq sepse Çela, në versionin Zidane, godet me kokë Sadriun në minutën e parë shtesë, mbrojtesi rrezikon vërtetë shumë të hedhë në erë krejt takimin, por falet nga Jorgji dhe ia hedh me ndëshkim minmal.  Pjesa e parë mbyllet 0-0.

Pjesa e dytë sjell të njëjtin skenar.  Edhe pse me 10 lojtarë, është Kastrioti që kontrollon fushën, përballë Skënderbeut që mendon vetëm të mbrojë zonën.  I pafat Bardhi në të 59-ën kur gjuajtja e fortë nga 20 metra ndalet nga shtylla.

E pakuptueshme sjellja e skuadrës së Memellit në fushë, që duket e painteresuar për të shfrytëzuar superioritetin numerik, me pasime të ngadalta dhe lojtarë që lëvizin pa dëshirë, në ato pak raste të krijuara.  Megjithatë, ndeshja zhbllokohet në minutën e 67-të nga Zhan Viktor, i cili përfiton nga një hezitim i Nezirit. Kështu korçarët arritën të marrin maksimumin nga një aksion pa shumë pretendime.

Në fundin e takimit ndodh gjithçka, skuadra e Skënderbeut në fillim humbet një 11-metërsh, të fituar nga Mara dhe të shpërdoruar nga Meksi, ndërsa në limite arrin të gjejë golin e dytë me anë të Kosta Vangjelit.

2-0 për Skënderbeun dhe korçarët e shikojnë veten shumë pranë realizimit të së pamundurës, vetëm 2 pikë larg shpëtimit, ndërsa krutanët e shikojnë veten të rrezikuar.

KASTRIOTI-SKËNDERBEU 0-2

Golat: Jean Viktor 67’, K.Vangjeli 90’+5