RTSH Sport Live

Sokol Cikalleshi: Na bëjnë punë vetëm tri pikët

  • 21/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Sokol Cikalleshi: Na bëjnë punë vetëm tri pikët
Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi në konferencë për shtyp

Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi ka dalë sot në një konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Izraelin e më pas me Islandën, duke theksuar se izraelitët nuk janë një ekip i pakalueshëm.

“Këtë javë po punojmë shumë. Mendoj që po bëjmë më të mirën për momentin, edhe pse grupi nuk është i plotë. Shpresoj që të bëjmë ndeshjen që të gjithë kërkojmë dhe të arrijmë të marrim rezultatin që na dërgon në realizimin e objektive që kemi”.

“Më mirë është të luaj me dy sulmues, pasi kur ke një partner afër, mundësia për të shënuar është më e madhe. Duke qenë se gjithë kohës kemi luajtur me dy sulmues, besoj se do të vazhdojmë të luajmë kështu. Më e rëndësishme për mua është që të jemi një grup i plotë dhe në harmoni me njëri-ttjetrin, pasi vetëm kjo na çon në rezultate positive”.

“Problemi i ndeshjes së fundit është që kemi bërë gabime që mund të evitoheshin. Për këtë gjë po punojmë dhe kemi bërë edhe analizat me video, ku i kemi parë këto gabimë dhe besoj se do t’i përmirësojmë. Kemi përballë një kundërshtar të vështirë, jemi në një grup më të vështirë se më parë. Duhet të bëjmë më të mirën në aspektin taktik, duke mos pësuar gol dhe pastaj me aftësitë që kemi të arrijmë të shënojmë dhe të marrim tre pikët”.

“Tashmë jam pak larg, në Arabi. Jam për një vit atje, nuk e di a do të vazhdoj apo jo atje. Po provoj një aventurë të re, kam kontratë me Koniasporin për dy vite. Mund të rikthehem sërish në Turqi. Në momentin që trajneri mendon se mund të shërbej në kombëtare si brenda dhe jashtë fushe, unë do të jem gjithmonë i gatshëm për kombëtaren. Është pak larg, por në këto raste vlen performanca në fushë dhe nëse do të arrij të shënoj dhe të kem performancë të mirë, besoj se ftesa nga kombëtarja nuk do të mungojë. T’ia lëmë kohës. Uroj të ambientohem dhe të gjej rrugën e rrjetës sa më shpejt”.

“Është një ndeshje e vështirë, po të shikojmë edhe ndeshjet e kaluara, kemi arritur të fitojmë edhe në Izrael. Edhe atëherë, kundërshtari ka qenë i vështirë. Trajneri po i shikon të gjitha mundësitë. Ndoshta mund të ndryshojë edhe skemën për të qenë më ofensivë. Na hyn në punë vetëm tre pikëshi, do t’i shikojmë të gjitha. Do të ketë ndryshime, duke parë edhe lojtarët që na mungojnë. Jam i sigurt që trajneri do të bëjë më të mirën për këtë pjesë për të dalë në fushë me të gjitha mundësitë tona më të mira, si nga ana taktike dhe fizike e lojtarëve”.

“Eljon Toçi? Për çdo element të ri që vjen në kombëtare është një ogur i mirë sepse rrit konkurencën. E kam parë pak në stërvitje, duket që është një lojtar me potencial që mund t’i shërbejë kombëtares. Ka kohë për t’u përmirësuar, duhet të bëjë më të mirën te klubi që është dhe të shënojë sa më shumë. Vendin në Kombëtare do ta ketë dhe në momentin që e meriton do të jetë edhe në fushë. Duke qenë një djalë i ri, le mos ta krahasojmë me Cikalleshin, por të bëhet më i mirë se Cikalleshi dhe të bëjë karrierën e tij”.