RTSH Sport Live

Sopoti – Valbona, sfida e kreut

  • 10/02/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Sopoti – Valbona, sfida e kreut
Tropojanët e Gazmir Fuçisë me synimin për fitore të shtunën në Librazhd

Sopoti – Valbona është kryendeshja e grupit A të Kategorisë së Dytë, që shënon dhe fundin e fazës së parë. 22 pikë për skuadrën nga Librazhdi dhe 21 pikë për ekipin tropojan, që drejtohet nga Gazmir Fuçia, i cili për kameran e Radio Televizionit Shqiptar ka treguar gjendjen e lojtarëve të tij përpara kësaj sfide.

"Ne e kemi vlerësuar shumë. Edhe çunat i kemi stërvitur maksimalisht. Mungesa nuk kemi dhe harmonia në grup është shumë e mirë", thotë Fuçia.

Për të rrëmbyer kreun e grupit, tropojanët nuk do të mjaftohen me objektivin minimal të lojës, atë të barazimit, por...

"Unë kam një eksperiencë 7-vjeçare tek ekipi i Vorës dhe e di shumë mirë që kush e mbyll fazën e parë në vendin e parë e përfundon të gjithë kampionatin në atë pozicion. Mirë do të ishte fitorja, por edhe me një barazim mund të jemi të kënaqur", bën të ditur Fuçia.

Në fazën e dytë, Valbona pret si Vorën, ashtu dhe Sopotin. A është kjo skudër mbi këto dy pretendentë serioz për t’u ngjitur nga grupi A në Kategorinë e Parë?

"Aty-aty jemi pothuajse. Duhet marrë parasysh se Vora mund të ketë bërë merkato më të mirë edhe se sa ne dy ekipet që jemi, por gjithçka varet nga djemtë", thotë i pari i bankinës tropojane.

Sa shanse ka realisht Valbona që në fund të sezonit 2022-2023 të jetë në Kategorinë e Parë?

"Nëse ne ia dalim me sukses nesër me 99 përqind jemi ne në vend të parë dhe rrjedhimisht në Kategorinë e Parë”, pohon Fuçia.

Fuçia e nisi si zëvendëstrajner i Valbonës në kohën që skuadra ishte nën drejtimin e Oltion Kërnajës e sot është në krye të ekipi. Një eksperiencë që vlen për të si trajner i së ardhmes...

"Unë kam gjithë jetën që merrem me futboll dhe çdo futbollist do të donte të ishte trajner", përfundon Fuçia.