Kupa e Botës për klube ka mbërritur në momentin final. Kompeticioni më i rëndësishëm që FIFA organizon me kampionët e pesë kontinenteve do të njohë sot në mbrëmje fituesin dhe gjithçka do të transmetohet në kanalin RTSH 1 HD, duke filluar nga ora 19.00. Kampionët e Evropës duan të arijnë rekordin e Barcelonës së Guardiolës për të fituar 6 trofe sezonalë, por nuk priten ta kenë të lehtë përballë fituesve të Champions për zonën e CONCACAF, Tigres. Skuadra meksikane vetëm pak ditë më parë ka mundur Palmeiras, që vinin si favoritë në këtë kompeticion. Vetë trajneri i bavarezëve, Flick, në konferencën e shtypit përpara ndeshjes ka shprehur shumë respekt për kundërshtarët e sotëm. “Kam mbajtur disa shënime ndeshjen që Tigres fitoi në gjysmëfinale”, - deklaron tekniku gjerman. “Jam befasuar nga futbolli që ata luanin. Kanë intesitet, kanë kualitet, prandaj nëse mendojmë se do ta kemi të lehtë do bënim një gabim të madh. Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe duhet të tregojmë në fushë që e meritojmë këtë trofe”.
Bavarezët i kanë fituar të gjtha kompeticionet që kanë luajtur këtë sezon, plot 5 trofe dhe duan të kurorëzojnë të 6-in sot në mbrëmje, rekord që e mban Barcelona e vitit 2009. Tigres nga ana tjetër, e kanë fituar për herë të parë Championsin e zonës së tyre, CONCACAF në muajin dhjetor 2020, pasi kanë humbur finalet e viteve 2016, 2017, 2019.