RTSH Sport Live

Spanja, dy gola për tri pikë në Prishtinë

  • 08/09/2021
  • |
  • Kosova
Spanja, dy gola për tri pikë në Prishtinë
Fornals dhe Torres i japin fitores skuadrës së Henrikes përballë Kosovës

Spanja është treguar cinike, ndërsa me nga një gol në çdo pjesë loje ka arritur të dalë fituese në “Fadil Vokrri” të Prishtinës ndaj Kosovës vendëse. E kishin vlerësuar maksimalisht ndeshjen kosovarët, por përvoja e iberikëve bëri të veten, ndërsa tanimë kryesojnë grupin B me 13 pikë. Në pjesën e parë spanjollët kanë kaluar në avantazh me anë të Pablo Fornals në të 32’, i cili ka shfrytëzuar maksimalisht një pasim të saktë të Moratës.

Herë me Rashanin e herë me Murriqin kosovarët janë munduar të rrezikojnë në portën spanjolle. Madje të besuarit e Henrikes mundohen të ulin ritmin e lojës me zëvendësimet, ndërsa në fundin e lojës kanë gjetur dhe golin e dytë, këtë herë me Torres, teksa goli është konfirmuar nga sistemi VAR. 2-0 dhe Spanja, edhe duke përfituar nga humbja e Suedisë në Greqi, 1-2, forcon kreun e grupit duke u shkëputur katër pikë nga nordikët. Kurse Kosova mbetet në kuotën e 4 pikëve.