RTSH Sport Live

Spanja “ngacmon” Kosovën pa mbërritur ende në Prishtinë

  • 07/09/2021
  • |
  • Kosova
Spanja “ngacmon” Kosovën pa mbërritur ende në Prishtinë
 Në rrjetet sociale nuk përmendet emri i shtetit: Nisemi për t’u rikthyer me tri pikë

Pas fitores me Gjeorgjinë dhe barazimit me Greqinë, këtë herë Kosova do të përballet ditën e mërkurë me Spanjën në Prishtinë, takim i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës, “Katar 2022”. Në një grup me Suedinë e Spanjën dhe me këta të fundit që kanë komplikuar rrugëtimin, shanset e Kosovës për të pretenduar kualifikimin janë minimale, megjithatë “Dardanët” janë gati të dhurojnë një tjetër provë force e karakteri, për të blinduar pozitat në vendin e tretë të renditjes.

Lirim Kastrati dhe Besar Halimi do të mungojnë për shkak se kanë plotësuar numrin e kartonave, ndërkohë që mesfushori i Dritës, Muharrem Jashari është grumbulluar në këtë sfidë. Përfaqësuesja e Spanjës është nisur për në Kosovë, ndërsa në rrjetet sociale të përfaqësueses iberike shihet se nuk përmendet emri i Kosovës, duke vazhduar injorimin e tyre. “Nisemi për Prishtinë, për t’u rikthyer me tri pikët”, shkruhej në postimin e faqes së përfaqësueses spanjolle.