RTSH Sport Live

Stavri Bello, dy vlerësime nga Mesdhetarët

  • 16/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Stavri Bello, dy vlerësime nga Mesdhetarët
“Urdhëri i Meritës” dhe Anëtar Nderi për kontributin e tij 20-vjeçar në këtë institucion

Stavri Bello, ish-sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, por në të njëjtën kohë presidenti i Komitetit Koordinativ për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, është nderuar me dy tituj nga Komiteti Olimpik Mesdhetar. Gjithçka ka ndodhur në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Mesdhetar në Taranto, ndërsa është vlerësuar kontributi mbi 20-vjeçar i Bellos në këtë institucion. Titulli i parë ishte “Urdhëri i Meritës” nga Komiteti Olimpik Mesdhetar, kurse i dyti Anëtarë Nderi i Komitetit Olimpik Mesdhetar.

Bello për një periudhë tetëvjeçare ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Mesdhetar, kjo në periudhë 2013-2021. Për 12 vjet, 2001-2013, anëtar i Komisionit Teknik të Komitetit Olimpik Mesdhetar. Në “Tarragona 2018” ishte anëtar i Komisionit Koordinativ të Lojërave Mesdhetare, si dhe anëtar i Komisionit Koordinativ të Lojërave Mesdhetare të Plazhit, që më 2023 do të zhvillohen në Kretë të Greqisë. Pa harruar periudhën 14-vjeçare, 1997-2021, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Ndaj për të gjitha këto merita, Stavri Bello është nderuar dhe lartësuar si figurë drejtuese sportive nga Komiteti Olimpik Mesdhetar, teksa i tillë ishte dhe në Lojërat e fundit Mesdhetare, që u mbajtën në Oran.