RTSH Sport Live

Stones dopietë, Manchester City në vend të dytë

  • 17/01/2021
  • |
  • Angli
Stones dopietë, Manchester City në vend të dytë
Premier League, Etihad Stadium - Manchester City 4 (Stones 26', 68', Gundogan 57', Sterling 88') Crystal Palace 0

John Stones shënoi golat e tij të parë në Premier League për Manchester City, ndërsa skuadra e Pep Guardiola u ngjit në vendin e dytë me një fitore bindëse ndaj Crystal Palace në Etihad.

Stones kishte 93 ndeshje në Premier League pa një gol për Man City, por qendërmbrojtësi në formë prodhoi një dopietë në paraqitjen e tij mbresëlënëse, numër 94 në kampionat.

City kryesisht dominoi pjesën e parë, por u desh një moment me cilësi të klasit botëror për të zhbllokuar mbrojtjen e mbushur të Crystal Palace, kur krosimi i virtuozit Kevin de Bruyne me pjesën e jashtme të këmbës së tij bëri që Stones të dërgonte topin në rrjetë.

Vendasit morën situatën në dorë dhe në pjesën e dytë, duke dominuar plotësisht lojën dhe duke e konkretizuar atë presion përmes një goditjeje të pabesueshme të Ilkay Gundogan dhe një finalizimi të dytë nga Stones, ndërsa Raheem Sterling, gjithashtu, vendosi emrin e tij në listën e golashënuesve dy minuta para fundit.

Kjo fitore bën që City të kërcejë mbi Spurs, Liverpool dhe Leicester në tabelën e Premier League, dhe tani vetëm dy pikë prapa liderit të ligës Manchester United dhe me një lojë në dorë.